Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka komunikuar sot vendimin përfundimtar në çështjen me 13 të pandehur për trafikim të narkotikëve në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Mes të dënuarve është edhe Gëzim Çela, i njohur publikisht si “baron i drogës”. Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë u shpallën fajtorë për “Trafikimin e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal, në tentativë. Shumica u dënua gjithashtu për “Grup të strukturuar kriminal”, ndërsa disa për vepra lidhur me armëmbajtje apo prodhim armësh pa leje. Totali i dënimeve të dhëna arrin në 107.8 vite burg.
GJKKO njofton se dy armë zjarri dhe një thikë të sekuestruara gjatë hetimit kalojnë në favor të shtetit, ndërsa lënda narkotike do të asgjësohet. Sendet dhe provat e tjera materiale do të ruhen për procedime të mëtejshme.
Procesi është gjykuar me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Trupi gjykues i Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Rudina Palloj dhe Erjon Bani, me vendimin nr. 74, datë 21.11.2025, ka vendosur si më poshtë (pasi u aplikua ulja një e treta kur parashikohet):
- Arlind Ismajlukaj – 9 vite e 4 muaj burg (pas uljes nga 14 vite)
- Gëzim Çela – 10 vite burg (pas uljes nga 15 vite)
- Nerim Çela – 8 vite e 4 muaj burg
- Armando Mema – 8 vite burg
- Dritan Metaj – 8 vite burg
- Ben Dalipaj – 8 vite burg
- Besnik Brokeri – 8 vite burg
- Alket Deda (alias Dritan Deda) – 8 vite burg
- Selami Lushkaj – 8 vite burg
- Ksenofon Bodo – 8 vite burg
- Kyrylo Ponomarenko – 8 vite burg
- Kostiantyn Biellon – 8 vite burg
- Armando Papa – 8 vite burg
Sipas materialeve të SPAK, për secilin prej të pandehurve është provuar roli në veprimtarinë kriminale, nga organizimi dhe magazinimi, te transporti dhe drejtimi i mjeteve lundruese. Vendimi parashikon që vuajtja e dënimeve të llogaritet nga momentet e arrestimeve përkatëse. Palët mund të ankimojnë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga komunikimi i vendimit të arsyetuar.


