Një krim i rëndë familjar ka tronditur Selanikun, ku një 50-vjeçar mbyti motrën me qese plastike dhe më pas telefonoi policinë për t’u dorëzuar.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së shtunës, rreth orës 15:00, në një apartament në rrugën Alexandria, në zonën Charilaou të Selanikut. Sipas burimeve policore, autori i dyshuar, një 50-vjeçar, përdori një qese plastike për t’i marrë jetën motrës së tij 59-vjeçare.
Pas aktit makabër, ai vetë mori në telefon qendrën e ndërhyrjes së menjëhershme dhe rrëfeu krimin me fjalët tronditëse: “Alo, e vrava!”. Kjo thirrje bëri që policia të nisej menjëherë drejt vendit të ngjarjes.
Kur oficerët mbërritën në apartament, gjetën trupin e pajetë të gruas dhe menjëherë arrestuan autorin. I dyshuari nuk bëri rezistencë dhe pranoi para uniformave blu se ishte ai që kreu vrasjen.
Policia lokale ka marrë në dorë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij krimi të rëndë, ndërsa trupi i viktimës u dërgua për ekzaminim mjeko-ligjor.
Sipas informacioneve të para, autori vuante nga probleme të rënda psikiatrike, të cilat dyshohet se kanë ndikuar drejtpërdrejt në kryerjen e kësaj ngjarjeje tragjike. Hetimet do të përcaktojnë nëse ai ka qenë nën trajtim mjekësor apo jo.
Kjo vrasje e rëndë ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik të Selanikut dhe është kthyer në temën kryesore të ditës në mediat greke. Autoritetet po përgatiten që ta dërgojnë 50-vjeçarin për vlerësim psikiatrik para se të dalë në gjykatë.