Fitim Dumani akuzon vëllezërit Çopja për ekzekutimin e Talo Çelës dhe tregon tradhtinë që e detyroi Nuredinin të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë.
Fitim Dumani, vëllai i Nuredin Dumanit – i njohur si bashkëpunëtor i drejtësisë për zbardhjen e dhjetëra vrasjeve në Shqipëri – ka folur publikisht për herë të parë mbi prapaskenat e ngjarjeve kriminale ku ka qenë i përfshirë vëllai i tij.
Në intervistën për “MaShqip” me gazetarin Flamur Vezaj, Fitim Dumani thekson se Nuredini nuk ka qenë kurrë “ushtar” i një grupi të vetëm, por një vrasës me pagesë për banda të ndryshme. Ai shton se vëllai i tij ka ende informacione për ngjarje të tjera tronditëse, të cilat do të zbardhen së shpejti dhe do të sjellin arrestime të reja.
Dumani e cilëson të kotë dëshminë e të penduarit tjetër, Erjon Alibej, duke akuzuar SPAK-un se po e përdor gabimisht. Sipas tij, Alibej nuk ka dijeni të drejtpërdrejtë për ngjarjet, por vetëm thashetheme.
Ai rrëfen se Nuredini nuk kishte ndërmend të dorëzohej pas atentatit të Suel Çelës dhe po priste ndërhyrjen kirurgjikale nga mjekë të Tiranës. Megjithatë, policia e arrestoi pas sinjalizimit që Çela bëri përmes një telefoni të pajisur me çip, që ia kishte dhuruar para atentatit.
Sipas Fitimit, tradhtia e shokëve e detyroi Nuredinin të bashkëpunonte me drejtësinë. Ai ka zbuluar pazaret, takimet dhe ngjarjet ku ishte përfshirë si autor apo bashkëpunëtor. Ndër to, edhe çështjen e tritolit në banesën e motrave Nikolli në Elbasan, ku humbi jetën Enea Thomaraj, të cilin ai e lidh drejtpërdrejt me urdhër të Suel Çelës.
Fitimi shprehet i bindur se Talo Çela u vra nga vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja në restorantin e tyre në Elbasan, ndërsa po hante. Sipas tij, arsyeja ishte që Çela të mos rrëfente informacione për ta.
Në intervistë, ai akuzon grupin e Çelës për një sërë veprash, përfshirë përpjekjen për t’i hequr Nuredinit statusin e të penduarit. Ai tregon se Suel Çela kishte ofruar 500 mijë euro për vrasjen e vëllait të tij dhe se policia u njoftua nga vetë Çela për arrestimin e tij.
Për prishjen e marrëdhënieve mes Nuredinit dhe Talos, Dumani përmend një konflikt për 10 mijë euro mes Altin Ndocit dhe një personi të quajtur Dashnor, ku Ndoci ishte i lidhur me Çopjat. Sipas tij, ky konflikt çoi në ndarje përfundimtare dhe në fund në eliminimin e Talos nga Çopjat.
Në pjesën e dytë të intervistës, që pritet të publikohet, Fitim Dumani do të zbulojë emra politikanësh dhe zyrtarësh të lartë që, sipas tij, mbrojnë figura të botës së krimit dhe kanë tentuar të blejnë heshtjen e Nuredin Dumanit.