Veliaj zbardh detajet nga seanca në GJKKO: “Djali im jetim me urdhër prokurori”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar përsëri nga qelia përmes një postimi në rrjetet sociale, duke zbuluar detaje nga seancën e zhvilluar të mërkurën në GJKKO, ku u diskutua masa e sigurisë ndaj tij.

Veliaj, i cili është nën akuzë nga organet e drejtësisë, ka sqaruar se bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, kërkoi që masa e sigurisë ndaj tij të zbutet nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje, për shkak të nevojës për kujdesin e fëmijës së tyre 6-vjeçar.

Veliaj ka ndarë me ndjekësit e tij një detaj të pazakontë nga arsyetimi i prokurorisë, e cila ka theksuar se djali i tij ka dy gjyshe, duke e cilësuar këtë si një zgjidhje të mundshme për kujdesin ndaj tij. “Pra, me vendim gjykate, fëmijës i caktohet statusi i jetimit dhe përgjegjësia për të rritur atë kalon tek gjyshet,” shkruan Veliaj, duke e shpjeguar këtë si një “logjikë absurde” të prokurorisë.

Kryebashkiaku ka vazhduar më tej duke theksuar se arsyetimi i prokurorëve ishte që gjyshet mund ta zëvendësojnë rolin e prindërve për detyrat e përditshme të fëmijës, duke përfshirë marrjen e tij nga shkolla dhe pjesëmarrjen në aktivitete jashtëshkollore. “Gjyshet mund të mbajnë radhët për të blerë ushqime, pavarësisht se nuk e dinë nëse janë në gjendje të mirë shëndetësore,” shtoi ai, duke ironizuar me këtë situatë.

Në reagimin e tij, Veliaj ka trajtuar gjithashtu një tjetër çështje që ka shkaktuar debat, lidhur me një shtëpi në plazh të cilën SPAK e konsideron si pronë të fshehur të tij dhe bashkëshortes së tij. Veliaj sqaroi se kjo shtëpi ishte blerë nga vjehrri i tij dhe jo nga ai vetë. Ai ka kundërshtuar logjikën e prokurorisë që, sipas tij, përdor lodrat e djalit të tij si një provë flagrante për të mbështetur akuzat e pasurisë së fshehur.

Ai ka kritikuar ashpër këto arsyetime, duke thënë se gjyshet nuk mund të marrin rolin e nënës, por mund të përdoren si justifikim për të krijuar lidhje të pasakta për pronat e tij. “Si mundet që po të gjejmë lodra të nipit në shtëpinë e gjyshes, kjo të konsiderohet si provë e pasurisë së fshehur?” ka pyetur Veliaj, duke aluduar se kjo është një logjikë e pabazuar dhe e papranueshme.

Veliaj ka shpërthyer gjithashtu ndaj prokurorëve, duke i quajtur ata si “dështakë” që përdorin argumente të paqëndrueshme për të justifikuar akuza të pabazuara. “Ata mendojnë se gjyshet janë njerëz të shtëpisë, por kur bëhet fjalë për të gjetur lodra të djalit tim, kjo shihet si provë,” shkruan Veliaj, duke theksuar se në një demokraci të vërtetë këto akuzat do të ishin të papranueshme.

Në fund, Veliaj ka falënderuar të gjithë ata që e mbështesin dhe e inkurajojnë, duke i drejtuar një mesazh të fuqishëm për ata që e kritikojnë. “Një përqafim të madh gjithë gjyshërve dhe gjysheve! Ju mbushni nipat dhe mbesat me dashuri dhe ngrohtësi, se fëmijët e rritur me dashuri nuk bëhen dështakë,” ka përfunduar ai, duke lënë të kuptohet se është i vendosur të vazhdojë betejën për drejtësi.

Ndaj Postimin: