Veliaj shpërndan certifikatat e pronësisë për familjet e “5 Majit”: “Të bëjmë këtë vend, e kemi vetë në dorë”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka shpërndarë certifikatat e pronësisë për familjet e prekur nga tërmeti i vitit 2019 në lagjen e re të “5 Majit”.

Këto familje, që prej disa muajsh janë vendosur në shtëpitë e tyre të reja, tani kanë një dokument të rëndësishëm që vërteton pronësinë e tyre. Veliaj theksoi se ky transformim është një dëshmi e punës së përbashkët dhe e angazhimit të të gjithë aktorëve, qeverisë dhe administratës vendore.

Në fjalimin e tij, Veliaj vuri në dukje se koha e harxhuar për përçarje dhe sherre politike është e çuar dëm. Ai theksoi se tashmë duhet të fokusohemi te puna dhe të mirat e përbashkëta. “Kjo tregon çfarë fuqie kanë njerëzit kur bashkëpunojnë dhe kur i shtrohen punës për të transformuar jetët e njerëzve. Ja ku jemi sot: pallatet janë të vërteta, njerëzit janë të vërtetë dhe certifikatat e pronësisë janë të vërteta”, u shpreh ai.

Kryebashkiaku theksoi se shpërndarja e certifikatave mund të kishte ndodhur shumë më herët, por që bllokimet nga disa individë kanë penguar këtë proces. “Këtë mund ta kishim bërë para dy-tre vitesh. Në Kombinat ende jemi mbrapa, sepse na u desh të përballeshim me 28 procese gjyqësore. 28 gjyqe që u hapën nga ata që nuk numërojnë dot vilat e tyre, ndërkohë për njerëzit na bllokonin punën. Ku janë sot ata që përçanin njerëzit?”, tha Veliaj, duke kërkuar përgjegjësi nga ata që penguan zhvillimin.

Ai gjithashtu ka shprehur vendosmërinë e tij për të çuar përpara projektet që transformojnë Tiranën. “Jam më i vendosur se kurrë që ta mbarojmë ‘5 Majin’, Kombinatin, të bëjmë Bulevardin e Ri dhe të përfundojmë shkollat e reja te Astiri”, tha ai, duke shtuar se kur të shkruhet historia e këtij qyteti, bllokuesit e këtyre projekteve do të harrohen.

Në përfundim, Veliaj theksoi se transformimi i hapësirave publike, si çerdhet, kopshte dhe ambiente të tjera komunitar, është një rezultat i politikave sociale të Bashkisë së Tiranës. Ai e konsideroi këtë si një angazhim të domosdoshëm për shtresat më në nevojë, duke u përqendruar sidomos tek pensionistët dhe studentët, për të cilët janë ofruar abone falas për transportin publik.

Veliaj përmendi gjithashtu se në lagjen e re të “5 Majit” do të akomodohen, përveç familjeve të prekura nga tërmeti, edhe ata që kanë pasur shtëpitë pa dokumente dhe që janë shpronësuar. Përfundimi i projektit do të sjellë 780 apartamente, prej të cilave janë shpërndarë deri tani 428 apartamente në 7 godina.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera