Veliaj reagon nga qelia: “Nuk do të hesht më, e vërteta do të dalë në pah”

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar për herë të parë pas arrestimit të tij, duke hedhur akuza të forta ndaj procesit dhe autoriteteve që po drejtojnë hetimet kundër tij.

Ai e cilësoi arrestimin si një “fund absurd” të një kapitulli të gjatë, duke kritikuar ashpër prokurorin e çështjes, të cilin e quajti një “prokuror lunatik”. Sipas Veliajt, ky është vetëm kapitulli i parë i një historie më të gjatë dhe tani ai nuk ka më detyrimin për të heshtur për atë që ka parë dhe dëgjuar, veçanërisht në lidhje me familjen e tij nën hetim nga SPAK.

Veliaj theksoi se ka respektuar vijën politike dhe ka qëndruar i heshtur gjatë gjithë procesit të hapur nga drejtësia, por tani ndjen se është koha të flasë. Ai shprehu keqardhjen për familjen e tij, veçanërisht për gruan e tij, Ajolën, dhe nënën e tij, duke theksuar se ata nuk kanë lidhje me akuzat për korrupsion. Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se ai dhe familja e tij janë të pastruar nga çdo akuzë dhe se do të tregojnë se sa të pabaza janë këto akuza.

Në një reagim të plotë, Veliaj tha se nuk është e lehtë të heshtësh kur ke “djegur lëkurën” nga akuzat që ai i konsideron “idiotësi” dhe të pashpjegueshme. Ai shpërtheu kundër prokurorit, duke e akuzuar për shantazh ndaj dëshmitarëve dhe duke shprehur shqetësimin se disa sipërmarrës janë përfshirë në këtë proces për shkak të sponsorizimit të aktiviteteve kulturore të Tiranës. Veliaj gjithashtu theksoi se disa kolegë dhe bashkëpunëtorë të tij janë prekur nga kjo çështje dhe u bëri thirrje që të mos besojnë në akuzat që po qarkullojnë.

Veliaj shprehu gjithashtu keqardhjen për të gjithë ata që kanë besuar dhe luftuar krah tij, duke përfshirë kolegët dhe partinë, të cilëve iu tha se nuk ka asnjë lidhje me “korrupsionin” dhe që do të vijnë ditë kur ata do të dëshmojnë të vërtetën e gjithë kësaj historie. Ai e mbylli mesazhin e tij me një besim të thellë se e vërteta do të dalë në pah, dhe kjo do të jetë më e fortë se çdo pengesë që i bëhet.

Veliaj e përshkroi këtë situatë si një tragjikomedi dhe e quajti akuzën ndaj tij të pabazuar, duke thënë se njerëzit do të çuditen kur të mësojnë të vërtetën. Ai gjithashtu shprehu besimin se e vërteta është më e fortë se çdo pengesë dhe se do të triumfojë përballë çdo abuzimi të pushtetit të drejtësisë.

Ndaj Postimin: