Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kundërshtimet ndaj argumenteve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për masën e sigurisë “arrest me burg” të vendosur ndaj tij.
Në dokumentin e dorëzuar, mbrojtja e Veliajt kritikon arsyetimin e prokurorisë, duke e cilësuar problematik për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe për institucionet demokratike.
Sipas kundërshtimeve të paraqitura, SPAK argumenton se vetë autoriteti i një të zgjedhuri vendor mund të krijojë presion mbi vartësit dhe të ndikojë në procesin hetimor.
“Edhe pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë, vetë autoriteti i rikthyer krijon presion objektiv mbi vartësit, duke cenuar spontanitetin dhe lirinë e dëshmisë”, citohet në dokument argumentimi i prokurorisë.
Mbrojtja e Veliajt thotë se një interpretim i tillë e trajton legjitimitetin demokratik të një të zgjedhuri si rrezik për hetimin penal dhe jo si shprehje të vullnetit të qytetarëve.
Sipas saj, një qasje e tillë përbën “sulm institucional ndaj demokracisë dhe ndaj një mandati demokratik të konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese”.
Avokatët e kryebashkiakut kundërshtojnë gjithashtu pretendimin e SPAK se veprimet ligjore të ndërmarra nga Veliaj përbëjnë ndërhyrje në hetim.
Ata i referohen një padie të depozituar më 20 janar në Gjykatën Administrative, ku Veliaj kërkon verifikimin e ligjshmërisë së dekretit të emërimit të prokurorit Olsi Dado në vitin 2008 nga presidenti i atëhershëm Bamir Topi.
Sipas mbrojtjes, fakti që kjo padi përdoret si argument për vazhdimin e paraburgimit përbën cenim të të drejtës kushtetuese për akses në gjykatë.
Në dokument theksohet gjithashtu se Bashkia e Tiranës ka interes të drejtpërdrejtë për të kërkuar verifikimin e mandatit të prokurorit, pasi masa e sigurisë ndaj kryebashkiakut ka prodhuar pasoja në funksionimin e institucionit.
Avokatët argumentojnë se paraburgimi pa afat i Veliajt ka tejkaluar standardin e proporcionalitetit, duke iu referuar edhe standardeve të Komisionit të Venecias për të zgjedhurit vendorë.
Sipas tyre, paraburgimi nuk mund të përdoret për të neutralizuar autoritetin demokratik të një të zgjedhuri apo për të penalizuar ushtrimin e të drejtave kushtetuese të mbrojtjes.
Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë kërkesën e Veliajt për masën e sigurisë më 20 maj, në një seancë të zhvilluar mbi bazë dokumentesh.