Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njoftoi një iniciativë të re për pensionistët, duke shpallur transport falas për këtë grupmoshë në buxhetin e vitit 2025.
Veliaj deklaroi se ky vendim vjen si një akt solidariteti ndaj gjeneratave që kanë dhënë shumë për qytetin.
“Në këtë mandat të tretë, prioritetet tona janë përmirësimi i cilësisë së jetës për më të moshuarit. Aboneja falas për gratë mbi 60 vjeç dhe burrat mbi 65 vjeç është një angazhim që e kam shumë për zemër. Përfituesit do të kursejnë deri në 192 mijë lekë në vit,” tha Veliaj.
Kjo abone do të financohet plotësisht nga Bashkia e Tiranës dhe do të shpërndahet përmes një regjistrimi të vetëm pranë njësive administrative. Veliaj theksoi se iniciativa është ekskluzivisht për banorët rezidentë të Tiranës dhe nuk përfshin pensionistët e zonave të tjera.
“Regjistrimi do të bëhet një herë në njësitë administrative. Pas kësaj, çdo muaj, me atë regjistrim, pensionistët mund të marrin abonenë e subvencionuar. Kjo është një mënyrë për të qenë të drejtë dhe për të shpërndarë mbështetjen aty ku duhet,” sqaroi ai.
Duke folur për arritjet e bashkisë, Veliaj përmendi ndërtimin e 45 shkollave të reja në kryeqytet si një shembull të angazhimit të mazhorancës socialiste për qytetin. “Kushdo që nuk di të dallojë të majtën nga e djathta, mjafton të shohë se kush ndërton dhe kush pengon,” shtoi ai.
Veliaj kujtoi sfidat e mandateve të kaluara, si tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia, duke i cilësuar si periudha të vështira që ndikuan në prioritetet e bashkisë. “Tani që kemi kapërcyer këto sfida, është momenti të investojmë më shumë në solidaritet dhe mirëqenie sociale,” nënvizoi ai.
Buxheti i ri pritet të ndihmojë pensionistët të përballojnë më lehtë koston e jetesës, duke nxitur gjithashtu një kulturë solidariteti në qytetin e Tiranës. Transporti publik falas është një tjetër hap drejt përmirësimit të shërbimeve publike dhe jetës së qytetarëve.