Vdes në Tiranë pas ndërhyrjes për zvogëlimin e stomakut, nën hetim mjekë nga Italia

Massimo Ferro, 54 vjeç, sipërmarrës nga Camposampiero në Itali, kishte vendosur të humbiste peshë pas vitesh përpjekjesh të pasuksesshme me dieta. Në kërkim të një zgjidhjeje afatgjatë, ai iu drejtua një klinike private në Milano, e cila i propozoi një ndërhyrje kirurgjikale për zvogëlimin e stomakut në Tiranë.

Operacioni u krye më 18 dhjetor në kryeqytetin shqiptar, por disa ditë më vonë, më 22 dhjetor, Massimo Ferro humbi jetën. Rrethanat e vdekjes së tij janë tashmë objekt hetimi nga autoritetet italiane.

Prokurori i Padovës, Andrea Girlando, ka regjistruar në listën e personave nën hetim kirurgun Andrea Formiga dhe dietologen Alessandra Freda, të dy nga Lombardia. Hetimi synon të zbardhë përgjegjësitë lidhur me planifikimin dhe kryerjen e ndërhyrjes.

Autopsia mbi trupin e 54-vjeçarit pritet të kryhet të hënën në Padova, nga mjeku ligjor Antonello Cirnelli, i caktuar nga prokuroria.

Sipas familjarëve, kontakti mes Massimo Ferro-s dhe kirurgut ishte zhvilluar përmes mesazheve, ku ishin përcaktuar kostot dhe organizimi i ndërhyrjes. Çmimi i operacionit ishte 4.400 euro, ndjeshëm më i ulët krahasuar me rreth 15 mijë eurot që kërkoheshin në Itali.

Megjithëse Ferro vuante nga diabeti i tipit II dhe peshonte 108 kilogramë, operacioni u planifikua pa përfunduar analizat para-operative në Itali. Këto analiza u shtynë për një ditë para ndërhyrjes në Tiranë. Familjarët pretendojnë se nuk janë respektuar protokollet italiane dhe ndërkombëtare për kirurgjinë e obezitetit.

Massimo Ferro mbërriti në Tiranë më 17 dhjetor së bashku me bashkëshorten e tij. Pas operacionit, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua. Më 22 dhjetor iu rrit temperatura, pati vështirësi në frymëmarrje dhe zemra i pushoi së rrahuri. Deri tani, shkaku i vdekjes mbetet i paqartë.

Familjarët kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke theksuar se synimi i tyre është të kuptojnë arsyen pse Massimo Ferro nuk u kthye më në shtëpi.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033