Tridhjetë e nëntë vjeçari Klodian Kulla ka humbur jetën pasi u hodh nga një urë metalike në Rrugën e Arbrit. Policia ka konfirmuar se ngjarja po hetohet si vetëvrasje, pasi nuk është gjetur asnjë provë që të lidhë rastin me ndonjë konflikt apo faktor të jashtëm.
Gjatë marrjes së dëshmive, familjarët kanë treguar se Kulla prej kohësh vuante nga probleme të rënda të shëndetit mendor. Sipas tyre, ai krijonte shpesh skena të pakuptimta dhe besonte se dikush po e ndiqte për ta dëmtuar. Ky gjendje ishte e lidhur me ankthin, depresionin dhe halucinacionet që e shoqëronin prej vitesh.
I riu ishte trajtuar me psikolog dhe me medikamente, ndërsa së fundi familja kishte kërkuar edhe ndihmën e një hoxhe, me shpresën se do të gjente ndihmë të mëtejshme në aspektin shpirtëror. Pjesë e rutinës së tij ishin edhe shëtitjet e shpeshta me makinë, zakonisht në zonën e Tujanit dhe drejt Rrugës së Dibrës, ku zakonisht e shoqëronte një i afërm.
Ditën e ngjarjes, Kulla kishte dalë i vetëm. Sapo arriti pranë urës metalike të segmentit të Rrugës së Arbrit, ndaloi automjetin dhe më pas u vetëhodh nga lartësia, duke gjetur vdekjen. Policia ka kryer të gjitha verifikimet e nevojshme dhe deri tani ka konfirmuar se viktima nuk ka pasur asnjë konflikt të rëndësishëm me persona të tjerë.


