Vdekja e 3-vjeçarit pas ndërhyrjes dentare, Prokuroria çon në gjyq 7 persona pas hetimit trevjeçar

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për ndarjen nga jeta të 3-vjeçarit Brian Spahiu pas një ndërhyrjeje dentare dhe ka dërguar për gjykim shtatë persona, të akuzuar për vrasje nga pakujdesia, mashtrim dhe shpërdorim detyre.

Sipas njoftimit zyrtar, tre persona – mjeku anestezist Roland Xhaxho, mjekja Ina Xhaxho dhe Marta Gina – do të përballen me akuzën e vrasjes nga pakujdesia në lidhje me ndërhyrjen dentare të kryer në një klinikë private në Tiranë. Ndaj dy prej tyre rëndon edhe akuza e mashtrimit, për shkak të dyshimeve se prindërve u është marrë pagesë për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që ekspertiza ka konstatuar se vetëm 6 dhëmbë ishin hapur dhe nuk ishin mbushur.

Ngjarja ka ndodhur më 28 shtator 2023, kur i mituri iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare në 14 dhëmbë. Pas procedurës, fëmija është dërguar në banesë, por brenda pak orësh gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua ndjeshëm. Trevjeçari u transportua në spitalin e pediatrisë, ku ndërroi jetë më 1 tetor.

Hetimet, të cilat janë shtrirë për gati tre vite dhe janë mbështetur edhe në ekspertime të kryera në Itali, kanë evidentuar shkelje të rënda të protokolleve mjekësore. Prokuroria konkludon se ekzistojnë dyshime se i mituri është nxjerrë nga klinika në gjendje narkoze dhe se prindërit nuk janë informuar saktë për procedurat e kryera.

Përveç tre të pandehurve kryesorë, katër mjekë të tjerë janë dërguar në gjyq për shpërdorim detyre. Dy prej tyre i përkasin Institutit të Mjekësisë Ligjore, për shkak të shkeljeve të konstatuara në ekspertizën mjekoligjore, ndërsa dy mjekë roje të spitalit të pediatrisë akuzohen se kanë neglizhuar diagnozën dhe trajtimin e fëmijës në momentet kritike, duke mos zbatuar protokollet mjekësore dhe terapinë e nevojshme me antibiotikë.

Prokuroria thekson se mosrespektimi i procedurave mjekësore, si në klinikën private ashtu edhe në institucionet publike, ka pasur rol vendimtar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të fëmijës dhe në pasojën fatale.

Çështja tashmë pritet të shqyrtohet nga gjykata, ndërsa familja e të miturit kërkon drejtësi për një ngjarje që tronditi opinionin publik dhe ngriti pikëpyetje serioze mbi sigurinë e trajtimeve mjekësore ndaj fëmijëve.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033