Nga: Ndriçim Gjoshi
Në ditën e katërt të procesit të dëgjesave publike për projekt-buxhetin 2026–2028, ndalesa ishte në qendrën administrative Fier-Shegan. Në këtë takim morën pjesë qytetarë, kryetarë fshatrash dhe drejtues të institucioneve vendore, të cilët sollën shqetësimet dhe propozimet e tyre për investime në zonat që përfaqësojnë.
Në këtë dëgjesë të rëndësishme ishte e pranishme kryetarja e Bashkisë Lushnje, znj. Eriselda Sefa, e shoqëruar nga drejtuesi i qendrës administrative Fier-Shegan, z. Fabio Mirofci, dhe nënkryetarja e bashkisë, znj. Elida Mezini.
Znj. Sefa mbajti fjalën përshëndetëse, duke i dhënë më pas fjalën qytetarëve dhe kryetarëve të fshatrave për të paraqitur kërkesat e tyre. Diskutimet ishin konstruktive dhe u vlerësuan si një hap i rëndësishëm drejt planifikimit të investimeve të nevojshme në infrastrukturë, bujqësi dhe mirëqenie sociale.
Kryetarët e fshatrave theksuan nevojën urgjente për investime në rrugët e brendshme të fshatrave, pastrimin e kanaleve vaditëse dhe hapjen e rrugëve në zonat kodrinore, sidomos tani që fermerët janë në sezonin e vjeljes së ullinjve.
Znj. Sefa dhe z. Mirofci siguruan qytetarët se çdo kërkesë do të merret në konsideratë me vëmendje dhe do të përfshihet në planin e punës për vitet në vijim, duke u shprehur se bashkia mbetet e angazhuar për të mbështetur nevojat reale të komunitetit.


