Vatër e re zjarri rikthehet në Drenovë, pritet ndërhyrja nga ajri ose ushtria

Pas shuarjes së dy vatrave të mëdha në Drenovë, një zjarr i ri i favorizuar nga era e fortë po përhapet me shpejtësi dhe po sfidon çdo përpjekje për kontroll.

Pasditen e sotme, situata e zjarreve në zonën e Drenovës është përkeqësuar sërish, pasi një vatër e re është aktivizuar në mënyrë të papritur. Era e fortë ka nxitur përhapjen e flakëve, duke vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen nga toka dhe rrezikuar zonat përreth.

Burime nga terreni raportojnë se zjarri i ri është shumë i vështirë për t’u vënë nën kontroll. Autoritetet janë në pritje të ndërhyrjes së helikopterit për të frenuar flakët nga ajri, që në këto kushte mbetet e vetmja mundësi reale ndërhyrjeje.

Nëse operacioni ajror nuk do të realizohet në kohë, mund të kërkohet ndërhyrja e Forcave të Armatosura përmes njësive speciale, pasi terreni malor dhe i thepisur nuk lejon operimin e automjeteve zjarrfikëse klasike.

Ndërkohë, flakët që kishin përfshirë më herët kodrat e Belishovës, të cilat kishin ardhur nga përhapja e zjarrit në Drenovë, janë vendosur tashmë nën kontroll falë përpjekjeve intensive të forcave të angazhuara në terren.

Autoritetet lokale dhe strukturat emergjente janë në gatishmëri të plotë, ndërsa situata mbetet e tensionuar për shkak të erës së vazhdueshme dhe rrezikut të shpërthimit të vatrave të reja në zona të afërta.

Banorët janë paralajmëruar të shmangin qëndrimin pranë zonës së përfshirë nga flakët, ndërsa vlerësimi i dëmeve do të kryhet pasi situata të stabilizohet. Në fokus të strukturave është aktualisht parandalimi i përhapjes në sipërfaqe të tjera pyjore.

Ndaj Postimin: