Është zbardhur dëshmia e vartëses së zëvendëskryeministres Belinda Balluku, Mirzeta Kashnica, e dhënë para SPAK, ku ajo ka deklaruar se është detyruar të firmosë dokumente zyrtare për tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë nën presion të drejtpërdrejtë.
Sipas dëshmisë, presioni është ushtruar fillimisht nga ish-kreu i Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi, i cili e ka detyruar të nënshkruajë procesverbalin që çoi në anulimin e procedurës së parë të prokurimit për ndërtimin e tunelit.
Mirzeta Kashnica ka deklaruar se në procedurën e parë të prokurimit, e cila më pas është anuluar, ajo ishte anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe në vlerësimin e saj operatori ekonomik “Gjoka Konstruksion” sh.p.k. i përmbushte kriteret dhe duhej të ishte shpallur fitues.
Ajo ka shpjeguar se këtë qëndrim ia ka përcjellë me email anëtarëve të tjerë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe për dijeni edhe Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë. Por, menjëherë pas dërgimit të emailit, pa u mbyllur ende vlerësimi i komisionit në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik, ajo është telefonuar nga Ervis Berberi, i cili i ka thënë se nuk duhej të shprehej me email.
Në dëshminë e saj, Kashnica ka deklaruar se pasi Berberi kishte ndërhyrë, procedura është mbyllur me vendimin për anulimin e saj, me arsyetimin se asnjë operator ekonomik nuk ishte në rregull. Në këto rrethana, ajo ka firmosur procesverbalin e datës 18.03.2021 për vlerësimin e ofertave, ku janë anuluar të gjitha ofertat e paraqitura, duke theksuar se nënshkrimi është bërë nën trysni nga Ervis Berberi.
Ajo ka deklaruar gjithashtu se Ervis Berberi ishte anëtar i komisionit dhe njëkohësisht personi që diktonte vendimmarrjen e tij. Sa i përket procedurës së rishpallur me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, Kashnica ka pohuar se sa herë mblidhej komisioni, anëtarët e tjerë merrnin vendimet mes tyre dhe ushtronin presion ndaj saj, duke e intimiduar për qëndrimet që mbante.
Pas kësaj dëshmie, SPAK thekson se edhe Belinda Balluku ka ushtruar presion mbi vartësen e saj. Sipas prokurorisë, kjo provohet nga përgjimet e administruara gjatë hetimit.
Në dokumentet procedurale thuhet se, gjatë kohës kur Balluku ishte njohur me akuzën nga organi procedues dhe ushtronte detyrën si zëvendëskryeministre e Republikës së Shqipërisë dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ajo ka ushtruar presion në forma të ndryshme ndaj personit të pyetur në këtë procedim, konkretisht shtetases M.K., vartëse e saj.
SPAK nënvizon se frikësimi i dëshmitarëve përbën një nga arsyet kryesore për kërkesën drejtuar Kuvendit për autorizim arresti, ndërsa hetimet për dosjen e Tunelit të Llogarasë vijojnë.