Rënia e lejeve të ndërtimit ka ulur të ardhurat vendore dhe ka vënë në presion buxhetet e bashkive në fund të 9-mujorit.
Cikli i ndërtimit po shfaqet si një faktor i brishtë për financat e pushtetit vendor. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se për periudhën janar–shtator 2025, bashkitë kanë mbledhur 28.8 miliardë lekë të ardhura tatimore, rreth 7% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Në planin vjetor, njësitë vendore synojnë të realizojnë 40.8 miliardë lekë të ardhura, por deri në përfundim të 9-mujorit është arritur vetëm 71% e objektivit. Pjesën më të madhe të këtyre të ardhurave e zënë taksat vendore, të cilat përbëjnë 77.4% të totalit të të ardhurave tatimore të bashkive.
Rënia më e ndjeshme lidhet me taksën e ndikimit në infrastrukturë, e lidhur drejtpërdrejt me lejet e ndërtimit. Kjo taksë ka pësuar një tkurrje prej rreth 3.5 miliardë lekësh në nivel kombëtar, duke reflektuar ngadalësimin e ritmit të ndërtimeve të reja.
Goditja më e fortë është ndjerë në Bashkinë e Tiranës, e cila ka arkëtuar 6.2 miliardë lekë më pak nga kjo taksë krahasuar me 9-mujorin e vitit 2024. Vetëm për kryeqytetin, të ardhurat e munguara nga ndërtimet përbëjnë mbi 30% të të ardhurave të veta këtë vit.
Ndërkohë, zëri i taksës mbi pasurinë ka shënuar një ecuri më pozitive, duke u realizuar në 75% të planit vjetor, ndërsa disa tarifa të tjera vendore kanë pasur rritje të lehta. Megjithatë, varësia strukturore e bashkive nga sektori i ndërtimit mbetet e lartë: rreth 42% e të ardhurave vetjake në vitin 2024 u siguruan pikërisht nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.
Ekspertët paralajmërojnë se mbështetja e tepruar te ndërtimi rrit rrezikun fiskal për pushtetin vendor. Ata sugjerojnë forcimin e taksës mbi pasurinë, rritjen e eficiencës së tarifave të shërbimeve lokale dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik vendor si alternativa për stabilitet afatgjatë.
Ngadalësimi i ritmit të ndërtimit, përveç ndikimit në ekonominë e përgjithshme dhe punësimin, mund të përkeqësojë më tej balancat financiare të bashkive, veçanërisht atyre urbane dhe bregdetare, ku intensiteti i projekteve të reja ka qenë më i larti gjatë viteve të fundit.


