Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk fitoi me KO në raundin e pestë ndaj Daniel Dubois dhe rifitoi të gjithë titujt kryesorë në peshën e rëndë.
Oleksandr Usyk rikthehet fuqishëm në majat e boksit botëror duke mposhtur me KO britanikun Daniel Dubois në përballjen e zhvilluar në “Wembley”, Londër. Në raundin e pestë, ukrainasi hodhi dy herë Dubois në tapet, ndërsa herën e dytë britaniku nuk arriti të ngrihej, çka bëri që gjyqtari të ndalojë ndeshjen dhe t’i japë fitoren kampionit.
Kjo është fitorja e 24-të në karrierë për Usyk, i cili mbetet i pamposhtur në peshën e rëndë dhe tani mban të gjithë titujt kryesorë, përfshirë WBC, WBO, WBA dhe IBF. Dubois pësoi humbjen e tretë në karrierë, dy prej të cilave i ka pësuar pikërisht nga ukrainasi.
Qysh nga fillimi i përballjes, Usyk dominoi me një stil të përmbajtur dhe teknikë të lartë, duke kombinuar mbrojtjen e mirë me goditje të fuqishme që dobësuan gradualisht kundërshtarin. Dubois nuk arriti të krijonte rezistencë të mjaftueshme për t’u kthyer në ndeshje.
Sfida e djeshme ishte edhe një mundësi hakmarrjeje për Dubois, i cili kishte humbur ndaj Usykut dy vite më parë. Por kjo tentativë për revansh dështoi për shkak të formës së shkëlqyer të kampionit ukrainas.
Atmosfera në stadium ishte elektrizuese, me mbështetësit e Usyk që festuan një triumf tjetër të madh në karrierën e tij. Sërish, ai konfirmoi veten si boksieri më i mirë në peshën e rëndë në botë, duke shkruar një faqe të re në historinë e këtij sporti.