Ushtria izraelite ka njoftuar se ka vrarë Haitham Ali Tabatabai, të cilin e cilëson si shefin e shtabit të përgjithshëm të Hezbollahut, gjatë një sulmi ajror në një pallat shumëkatësh në lagjen jugore të Bejrutit.
Në deklaratën zyrtare thuhet se forcat izraelite goditën një objektiv në zonën e Bejrutit dhe eliminuan terroristin Haitham Ali Tabatabai, duke e përshkruar atë si një figurë kyçe dhe veterane të organizatës shiite libaneze.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, gjatë sulmit u vranë të paktën pesë persona, ndërsa disa të tjerë mbetën të plagosur.
Pak orë para njoftimit izraelit, Hezbollahu kishte konfirmuar se një “personalitet i rezistencës” kundër Izraelit ishte vrarë në sulmin e së dielës, por pa dhënë detaje për identitetin e tij.
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, reagoi pas ngjarjes duke kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të ndërhyjë me seriozitet për t’i dhënë fund sulmeve izraelite ndaj Libanit, duke theksuar se vendi i tij po respekton marrëveshjen e armëpushimit.
Ky është sulmi më i rëndësishëm i Izraelit në Bejrut që prej muajit shtator, kur një tjetër goditje izraelite vrau udhëheqësin historik të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, duke çuar në përshkallëzimin e tensioneve në rajon.


