Ushtari i SHBA-së i dyshuar për vrasjen e katër personave në Montana mbetet në arrati

Michael Paul Brown, ish-ushtari amerikan i dyshuar për vrasjen e katër personave në një bar në Montana, vazhdon të jetë në arrati dhe besohet se mund të jetë i armatosur pas arratisjes me një automjet të vjedhur që përmbante rroba dhe pajisje kampingu.

Ngjarja tronditëse ndodhi në mëngjesin e së premtes në The Owl Bar në Anaconda, Montana, një qytet me pak më shumë se 9,000 banorë, rreth 120 kilometra në juglindje të Missoulas, në një zonë të rrethuar nga malet. Prokurori i Përgjithshëm i Montanës, Austin Knudsen, deklaroi se Brown përdori një pushkë personale për të kryer sulmin, duke vrarë një grua që punonte si kamarierë dhe tre klientë meshkuj, të moshave nga 59 deri në 74 vjeç.

Knudsen paralajmëroi banorët se Brown, i cili jetonte pranë barit dhe ishte vizitor i rregullt aty, mund të kthehet në zonë. “Ky është një individ i paqëndrueshëm që vrau katër persona në mënyrë të ftohtë dhe pa asnjë arsye,” tha ai, duke shtuar se ekzistonte një kërcënim serioz për komunitetin. Për shkak të situatës, shumë ngjarje publike në qytet u anuluan gjatë fundjavës ndërsa kërkimet hynë në ditën e tretë.

Autoritetet po shqyrtojnë çdo pistë të mundshme për vendndodhjen e Brown, përfshirë edhe zonat pyjore ku ai kalonte kohë si fëmijë duke gjuajtur dhe duke kampuar. Megjithatë, për shkak të sezonit turistik në Montana Perëndimore, disa oficerë duhet të kthehen në punët e tyre të zakonshme në komunitetet e tyre.

Michael Paul Brown shërbeu në ushtri si pjesëtar i ekuipazhit të tankeve nga viti 2001 deri në 2005 dhe ishte i stacionuar në Irak nga fillimi i 2004 deri në mars 2005. Pas kësaj, ai ishte pjesë e Gardës Kombëtare të Montanës deri në mars 2009 dhe la shërbimin ushtarak me gradën e sergentit. Një nga të afërmit e tij ka treguar se Brown vuante prej vitesh nga probleme të shëndetit mendor dhe familjarët e tij kishin kërkuar ndihmë për të.

Sipas autoriteteve lokale, Brown-i njihej më parë nga forcat e rendit dhe besohet se njihte viktimat, duke qenë se jetonte shumë pranë vendit të ngjarjes. Fotografia e publikuar nga kamerat e sigurisë e tregon atë pa këpucë dhe me rroba minimale, por më vonë u konfirmua se ai kishte hedhur makinën fillestare dhe kishte vjedhur një tjetër, ku kishte gjetur rroba dhe pajisje për kampim, duke lënë të hapur mundësinë që tani të jetë i veshur.

Kërkimi për Brown-in vazhdon me intensitet, dhe autoritetet ofrojnë një shpërblim prej 7,500 dollarësh për çdo informacion që çon në kapjen e tij. “Kjo është ende Montana. Banorët dinë si të mbrojnë veten, por nëse shihni diçka, thirrni 911,” apeloi prokurori Knudsen.

Ndaj Postimin: