Në Kadastrën e Vlorës ka mbërritur një urdhër për mbledhjen e menjëhershme të dosjeve të pronave dhe përgatitjen e tyre për transferim drejt Tiranës. Sipas informacionit të bërë të ditur, urdhri parashikon që një pjesë e dosjeve të kalojnë pa procesverbal, për shkak të nxitimit për zhvendosjen e institucionit.
Urdhri është përcjellë nga drejtuesi i Kadastrës së Vlorës dhe u është komunikuar punonjësve për zbatim të menjëhershëm. Megjithatë, punonjësit shprehen kundër këtij vendimi, duke e cilësuar atë problematik dhe të rrezikshëm për administrimin e dokumentacionit të pronave.
Si reagim, punonjësit e Kadastrës po përgatisin një shkresë zyrtare, e cila pritet të firmoset kolektivisht, përmes së cilës kundërshtojnë urdhrin për transferimin e dosjeve dhe mënyrën se si po realizohet procesi.
Ky zhvillim vjen në vazhdën e refuzimeve të mëparshme të punonjësve për zhvendosjen e zyrës së Kadastrës nga Vlora drejt Tiranës, një vendim që ka ngjallur shqetësime për funksionimin e shërbimit dhe sigurinë e dokumentacionit.