Pavarësisht se çmimet e ushqimeve të importuara ranë me 7% gjatë vitit 2024, kjo ulje nuk është reflektuar në tregun vendas.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave (INSTAT) tregojnë se një kilogram ushqim, pije dhe duhan i importuar kushtoi mesatarisht 120.8 lekë, nga 129.8 lekë që ishte në vitin 2023. Kjo përfaqëson një rënie të konsiderueshme krahasuar me vitin 2022, kur çmimet kishin qenë edhe 17% më të larta.
Megjithatë, inflacioni i këtij grupi shënoi një rritje prej 2.7% gjatë vitit 2024, duke dëshmuar se konsumatorët nuk kanë përfituar nga ulja e kostove të importit. Duke qenë se Shqipëria mbështetet kryesisht te produktet e importuara, ndryshimet në çmimet e importit luajnë një rol kyç në ekonominë e konsumatorit. Në vitin 2024, importet ushqimore ishin 2.7 herë më të larta se eksportet, çka tregon varësinë e lartë të tregut vendas nga furnizimet e huaja.
Dy faktorë kryesorë kanë ndikuar në uljen e çmimeve të importit. E para është forcimi i lekut ndaj euros, i cili ka bërë që produktet e huaja të kushtojnë më pak për importuesit. Së dyti, çmimet globale të ushqimeve vijuan tendencën rënëse edhe gjatë vitit 2024, pas rritjes së tyre të ndjeshme si pasojë e krizës së luftës në Ukrainë.
Por, pavarësisht këtyre ndryshimeve, tregu vendas nuk është treguar fleksibël në reflektimin e uljes së çmimeve. Importuesit dhe distributorët justifikojnë mungesën e një rënieje të dukshme në tregjet me pakicë duke përmendur rritjen e kostove të brendshme, përfshirë mungesën e fuqisë punëtore dhe detyrimin për të rritur pagat.
Një importues, në kushte anonimiteti, ka pranuar se ka përfituar nga zhvlerësimi i euros, duke regjistruar të ardhura më të larta me 5-6% nga momenti i porosive deri te pagesat. Megjithatë, kjo përfitim nuk është reflektuar në uljen e çmimeve për konsumatorët shqiptarë, të cilët vijojnë të përballen me kosto të larta të jetesës.
Një raport i fundit nga platforma globale “Numbeo” e renditi Tiranën në vendin e 92-të nga 141 qytete europiane për kostot e larta të jetesës. Sipas të dhënave të këtij raporti, një banor i Tiranës shpenzon mesatarisht 42.5% të të ardhurave të tij mujore për ushqime, një përqindje e lartë krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
Në Shqipëri, shpenzimet për ushqim zënë mbi 43% të të ardhurave mujore të qytetarëve, një përqindje shumë më e lartë se në vendet e tjera europiane. Në të njëjtën kohë, pagat mesatare në vend mbeten ndër më të ulëtat në rajon, rreth 30% më të ulëta se mesatarja rajonale, duke krijuar një pabarazi të theksuar mes të ardhurave dhe kostos së jetesës.
Ndërkohë që tregu i qirave në Shqipëri mbetet më i lirë se në qytete të tjera europiane, çmimet e produkteve ushqimore vazhdojnë të mbeten në nivele të larta, duke rënduar gjithnjë e më shumë mbi financat e familjeve shqiptare.