Ukraina në fokus: deklarata, ndihma dhe mungesa e angazhimit nga Tirana

Rama flet për paqen dhe qëndrimin me Ukrainën, por Shqipëria sërish pa plan konkret ndihme në konferencën ndërkombëtare në Romë

Në një nga konferencat më të rëndësishme ndërkombëtare mbi të ardhmen e Ukrainës, të zhvilluar në Romë, kryeministri Edi Rama u shfaq krah liderëve botërorë me një fjalim që më shumë rezonoi si diplomaci e kujdesshme sesa si kontribut konkret për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga agresioni rus.

Komisioni Evropian bëri të ditur një paketë të madhe ndihmash me vlerë 2.3 miliardë euro për Ukrainën – përfshirë 1.8 miliardë euro në kredi dhe 580 milionë në grante – duke treguar qartë se Evropa nuk ofron vetëm fjalë, por edhe mbështetje reale. Në këtë panoramë mbështetjeje të drejtpërdrejtë, Shqipëria nuk prezantoi asnjë plan konkret ndihme, duke u mjaftuar me një pozicion simbolik dhe retorikë pa ndikim të prekshëm.

“Jemi një vend i vogël me burime modeste dhe pa ndikim në fushëbetejë”, deklaroi Rama, ndërsa siguroi se Shqipëria do të jetë gjithmonë krah Italisë dhe vendeve europiane kur Ukraina të ketë nevojë. Por kjo deklaratë nuk u pasua nga ndonjë ofertë konkrete ndihme, qoftë edhe simbolike.

Kryeministri shqiptar theksoi rëndësinë e paqes, duke paralajmëruar se ajo nuk duhet lënë në plan të dytë, dhe se askush jashtë kufijve të Evropës demokratike nuk mund t’i japë leksione Bashkimit Evropian për paqen. Ai nënvizoi se Ukraina nuk është agresori dhe se pa një plan të guximshëm për paqe, përpjekjet e deritanishme nuk mjaftojnë.

Ndërkohë, konferenca u hap nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, të cilët kërkuan mobilizim konkret. Zelensky kërkoi ndihmë të menjëhershme për fuqizimin e mbrojtjes ajrore dhe prodhimin e dronëve, pasi Rusia ka rritur ndjeshëm sulmet ajrore. “Kur Rusia shton sulmet, mungesa e financimit për dronët nuk është një opsion,” deklaroi ai.

Përballë këtij angazhimi ndërkombëtar, Shqipëria mbetet në hije, duke përsëritur qëndrime të njohura e deklarata solidariteti, pa ndërmarrë hapa praktikë. Në kohën kur vendet perëndimore po konkretizojnë ndihmën për Ukrainën, pozicioni shqiptar reflekton më shumë pasivitet diplomatik sesa bashkëpërgjegjësi reale.

Pavarësisht fjalëve të kujdesshme dhe thirrjeve për paqe, mungesa e një angazhimi të matshëm nga ana e Shqipërisë e bën pjesëmarrjen e saj më shumë formale se sa thelbësore në këtë përpjekje të përbashkët ndërkombëtare.

Ndaj Postimin: