Ujgurët në Tajlandë përballen me rrezikun e deportimit dhe përndjekjes në Kinë

Bangkok– Një grup prej 43 burrash ujgurë të ndaluar në Tajlandë që prej më shumë se një dekade kanë ngritur alarmin për deportimin e tyre të mundshëm në Kinë.

Në një letër publike, e siguruar nga Associated Press, të ndaluarit kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të organizatave ndërkombëtare për të shmangur atë që e quajnë një fat tragjik.

“Ne mund të burgosemi, madje të humbasim jetën,” theksohet në letër. “I bëjmë thirrje të gjitha organizatave dhe vendeve që respektojnë të drejtat e njeriut të veprojnë përpara se të jetë tepër vonë.”

Ujgurët janë një etni turke me shumicë myslimane, vendase në rajonin perëndimor të Xinjiangut në Kinë. Prej dekadash, ata kanë qenë në konflikt me Pekinin për shkak të diskriminimit dhe shtypjes kulturore. Sipas raporteve ndërkombëtare, Kina ka ndërmarrë një goditje të ashpër ndaj ujgurëve, duke i mbyllur qindra mijëra në kampe dhe burgje. Shumë prej tyre raportojnë abuzime, sëmundje dhe, në disa raste, vdekje.

Në vitin 2014, mbi 300 ujgurë që po përpiqeshin të arratiseshin nga Kina u ndaluan nga autoritetet tajlandeze pranë kufirit me Malajzinë. Një vit më pas, Tajlanda deportoi 109 prej tyre në Kinë, duke shkaktuar një valë zemërimi ndërkombëtar. Një grup tjetër prej 173 personash, kryesisht gra dhe fëmijë, u dërguan në Turqi, ndërsa 53 burra mbetën të bllokuar në qendrat e ndalimit të emigracionit në Tajlandë. Pesë prej tyre kanë ndërruar jetë që atëherë, përfshirë dy fëmijë.

Gjendja e të ndaluarve në qendrat e emigracionit përshkruhet si tepër e vështirë. Ata mbahen në qeli të mbipopulluara, ushqehen dobët dhe u mohohet aksesi në produkte higjienike bazë apo kontakte me familjarët dhe avokatët. Sipas një letre të shkruar nga ekspertët e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, kjo trajtim mund të përbëjë shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Në janar 2025, autoritetet tajlandeze u kërkuan të ndaluarve të firmosnin dokumente për deportim të supozuar vullnetar, një lëvizje që shkaktoi panik, pasi dokumente të ngjashme ishin përdorur në deportimet e 2015-ës. Ujgurët refuzuan të firmosin. Sipas burimeve të AP-së, bisedime brenda qeverisë tajlandeze sugjerojnë se deportimi i tyre është prioritet, duke marrë parasysh 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Tajlandës dhe Kinës.

Organizata të të drejtave të njeriut dhe aktivistë ndërkombëtarë theksojnë se ujgurët nuk kanë kryer asnjë krim dhe kanë të drejtën të mos deportohen. Peter Irwin, drejtor në Projektin për të Drejtat e Njeriut të Ujgurëve, tha se grupi po vepron brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar duke kërkuar azil.

Të ndaluarit i kanë dorëzuar aplikimet e tyre për azil Komisionerit të Lartë për Refugjatët të Kombeve të Bashkuara (UNHCR), por qeveria tajlandeze ka ndaluar vizitat e agjencisë tek ata. Ndërkohë, familjarët e të ndaluarve jetojnë në ankth dhe frikë për sigurinë e të afërmve të tyre.

“Ne jemi në një situatë të vazhdueshme shqetësimi dhe frike,” thotë Bilal Ablet, vëllai i një të ndaluari. Aktivistë të tjerë kanë theksuar se ka vende që janë të gatshme të pranojnë ujgurët, por Tajlanda refuzon të ndërmarrë hapa për lirimin dhe zhvendosjen e tyre.

Situata mbetet kritike, ndërsa organizatat ndërkombëtare vazhdojnë thirrjet për ndalimin e deportimit të mundshëm dhe për respektimin e të drejtave bazë të ujgurëve të ndaluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera