Një shqetësim i hershëm, i përsëritur prej vitesh, vijon të rëndojë mbi banorët e fshatit Poshnje, në bashkinë Dimal, të cilët prej më shumë se 30 vitesh jetojnë mes ndotjes së ujërave të zeza dhe mbetjeve industriale.
Në kanalet pranë banesave derdhen pa asnjë trajtim ujëra të ndotura, ndërsa situata përkeqësohet edhe nga një fabrikë përpunimi të qumështit, e cila prej kohësh shkarkon mbetjet e saj direkt në kanal, duke përhapur erë të rëndë dhe ndotje alarmante.
Më shqetësuesja është fakti se vetëm pak metra larg ndotjes ndodhen qendra shëndetësore dhe kopshti i fëmijëve, të cilët ekspozohen çdo ditë ndaj një mjedisi të papërshtatshëm dhe potencialisht të rrezikshëm.
Banorët e revoltuar i janë drejtuar redaksisë së televizionit tonë, duke denoncuar mungesën totale të reagimit nga qendra administrative e fshatit, Bashkia Dimal dhe Inspektorati i Mjedisit. Ata kërkojnë verifikim urgjent të aktivitetit të fabrikës, ndalimin e derdhjes së mbetjeve dhe zbatimin e ligjit për mbrojtjen e shëndetit publik.
Të lodhur nga premtimet boshe dhe heshtja e institucioneve, banorët i janë drejtuar mediave me shpresën se zëri i tyre do të dëgjohet publikisht. “Do ta shohim” është fraza që dëgjojnë më shpesh nga institucionet lokale, ndërkohë që Bashkia Dimal, Inspektorati i Mjedisit dhe strukturat e tjera shtetërore heshtin, duke lënë në harresë ligjin dhe shëndetin publik. Ndërtesa e qendrës administrative dhe zyra e drejtuesit të saj ndodhen jo më shumë se 30 metra larg nga punishtja e qumështit, megjithatë institucioni deri tani ka qëndruar pasiv ndaj ankesave të qytetarëve.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, verifikim të kushteve mjedisore të fabrikës dhe ndalimin e ndotjes së kanalit, që tashmë po kthehet në një rrezik real për shëndetin e tyre dhe të fëmijëve të vegjël të fshatit.
Gazetar: Ndriçim Gjoshi