Uji mungon për 120 familje në fshatin Gjerbës të Mallakastrës

Në Mallakastër, 120 familje vuajnë për ujë të pijshëm dhe përballen me sfida të rënda çdo ditë për të siguruar atë që duhet të ishte e thjeshtë dhe jetike.

Në fshatin Gjerbës, mes kodrave të pasura me burime natyrore, banorët përballen me mungesë të theksuar uji. Një çezmë e vetme ndodhet rreth dy kilometra larg banesave, ku çdo ditë vijnë kryesisht të moshuar dhe të sëmurë për të mbushur bidonë me ujë. Ujin e transportojnë me gomarë apo motoçikleta, duke bërë katër udhëtime në ditë për ta siguruar këtë nevojë bazë.

Megjithëse janë investuar para dy herë për të shtruar tubacionet dhe për të përmirësuar rrjetin, uji nuk ka arritur kurrë në rubinetat e shtëpive. Kryeplaku i fshatit tregon se në vitet 2000 u shpenzuan 180 mijë euro, por pa rezultat. Një investim tjetër i mëvonshëm gjithashtu dështoi dhe askush nuk ka marrë përgjegjësi për këtë dështim.

“Janë 120 familje që mbushin ujë me kafshë, ndërsa ne kemi bërë kërkesa dhe janë investuar miliona lekë nga shteti. Uji nuk ka arritur në shtëpi. Na thonë se do të vijë nga Poçemi apo Lumara, por deri tani nuk ka asgjë,” shprehet Xhafo Murataj, një prej banorëve që përballet çdo ditë me këtë problem.

Banorët ndjekin të njëjtin ritual të lodhshëm: herët në mëngjes dhe pasdite shkojnë tek “Çezma e Vidhajt” për të mbushur bidonët, të cilët përdoren për të pirë, gatuar dhe për pastrim. Ndër ta është edhe një invalid, i cili tregon se i duhet të bëjë dy udhëtime në ditë dhe se vështirësitë janë të mëdha, sidomos për ata që nuk kanë ndihmë.

E moshuara 80-vjeçare, Azyre Jaupaj, rrëfen se prej 62 vitesh që jeton në Gjerbës, nuk ka njohur asnjë ditë me ujë të mjaftueshëm në shtëpi. Ajo kujdeset për vajzën e sëmurë dhe detyrohet të mbajë kazanin me ujë në kokë për ta sjellë në shtëpi, duke përjetuar vështirësi të jashtëzakonshme.

Banorët ankohen se premtime të shumta gjatë fushatave zgjedhore nuk janë realizuar kurrë. Ata kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme nga shteti, pasi gjendja mbetet e rëndë edhe pas investimeve të dështuara. Përveç mungesës së ujit, rrugët janë të paaftësuara dhe rrjeti elektrik i amortizuar, duke e bërë jetën në Gjerbës edhe më të vështirë.

“Na vijnë deputetë, marrin vota dhe ikin pa bërë asgjë. Jemi të braktisur nga shteti. Ujë, drita dhe rrugë na mungojnë prej 35 vitesh. Jemi të lodhur dhe shumë të dëshpëruar,” shprehet një tjetër banor i fshatit. Ata që mundën, kanë ikur nga Gjerbësi, ndërsa të tjerët vazhdojnë të mbijetojnë me vështirësi të mëdha çdo ditë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033