UJË I KUFIZUAR DHE I PAPASTËR NË VERBAS E SHEQISHTE, BANORËT KUNDËRSHTOJNË EDHE RRITJEN E TARIFAVE.

Në fshatrat Verbas dhe Sheqishte të Bashkisë Patos, furnizimi me ujë nga rrjeti publik i ujësjellësit mbetet një problem për banorët. Përveç orareve të kufizuara të furnizimit, banorët ngrenë shqetësimin edhe për cilësinë e ujit, të cilin e konsiderojnë të papastër.
Për të shmangur këto problematika, një pjesë e familjeve kanë ndërprerë marrëdhëniet me ndërmarrjen e ujësjellësit dhe sigurojnë ujin për nevojat e tyre përmes puseve të hapura pranë banesave.
Ndërkohë, për familjet që vijojnë të jenë abonente të ujësjellësit dhe paguajnë rregullisht faturat, problem mbetet furnizimi me orare të reduktuara, ndërsa një tjetër shqetësim lidhet me nivelin e ri të tarifave për shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe trajtimin e ujërave të zeza.
Kjo çështje është bërë pjesë edhe e seancave dëgjimore publike të zhvilluara për prezantimin e propozimeve të reja tarifore. Por, sipas këshilltarëve bashkiakë të kontaktuar nga TV Apollon, këto dëgjesa janë zhvilluar pa pjesëmarrjen e gjerë të banorëve të qytetit të Patosit dhe të fshatrave të njësive administrative.
Sinkron
TV Apollon kontaktoi disa prej anëtarëve të Këshillit Bashkiak Patos për të marrë qëndrimin e tyre lidhur me problematikat e furnizimit me ujë, cilësinë e tij, oraret e kufizuara të furnizimit, si dhe propozimin për ndryshimin e tarifave të ujit të pijshëm dhe trajtimit të ujërave të zeza.
Këshilltarët bashkiakë, jashtë kamerës së TV Apollon, thanë se kishin kundërshtuar zhvillimin e dëgjesës publike për shkak të mungesës së banorëve. Sipas tyre, në sallë ndodheshin kryesisht këshilltarë dhe kryetarë fshatrash.
Megjithatë, pavarësisht kundërshtimeve, dëgjesa vijoi dhe në të u prezantua materiali mbi tarifat e reja për furnizimin me ujë të pijshëm dhe grumbullimin e trajtimin e ujërave të zeza. Sipas të njëjtave burime, këshilltarët e opozitës u larguan nga salla.
Në këtë takim u prezantua edhe materiali i përgatitur nga Enti Rregullator i Ujit, i cili, sipas këshilltarëve të kontaktuar, u kundërshtua edhe nga këshilltarë të mazhorancës, me argumentin se të dhënat ishin përgjithësuese dhe nuk pasqyronin në mënyrë specifike situatën e Bashkisë Patos.
Në përfundim, për tarifën e furnizimit me ujë të pijshëm nuk pati ndryshime, pasi niveli i saj rezultoi të ishte në përputhje me tarifën e kërkuar.
Ndërsa propozimi për rritjen e tarifës për trajtimin e ujërave të zeza u kundërshtua, me argumentin se ky shërbim nuk ofrohet në një pjesë të konsiderueshme të territorit të Bashkisë Patos.
Kështu, për banorët e Verbasit dhe Sheqishtes, përtej debatit mbi tarifat, mbetet ende një problem më i drejtpërdrejtë: furnizimi i rregullt dhe cilësia e ujit që mbërrin në çezanat e tyre.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033