Një grup prej rreth 15 shtetasish shqiptarë ndodhet në pritje në portin e Brindizit, pasi nuk kanë mundur të udhëtojnë drejt Shqipërisë që nga dita e djeshme. Shumica e tyre janë nga qyteti i Durrësit.
Sipas rrëfimeve të tyre, udhëtimi fillimisht ishte planifikuar përmes linjës ajrore drejt Tiranës, por u është komunikuar se fluturimet janë pezulluar për një periudhë 24-orëshe. Pas këtij njoftimi, ata janë udhëzuar të largohen nga aeroporti dhe të zhvendosen në port, për të pritur një mundësi kthimi me traget.
Qytetarët thonë se janë përballur me mungesë informacioni dhe se procesi i zhvendosjes ka qenë i vështirë, veçanërisht për ata që kanë probleme shëndetësore. Aktualisht, grupi ndodhet në pritje, pa një afat të qartë për rikthimin në vend.
Ata kërkojnë që situata e tyre të trajtohet me prioritet dhe që të ketë koordinim për t’u mundësuar kthimin sa më shpejt në Shqipëri, duke marrë parasysh edhe gjendjen shëndetësore të disa prej tyre.