Një shtetase kineze, 45 vjeçe, është proceduar penalisht nga Policia Kufitare e Rinasit, pasi tentoi të largohej nga Republika e Shqipërisë duke transportuar një shumë të konsiderueshme parash, pa i deklaruar sipas detyrimeve ligjore.
Gjatë kontrollit të detajuar në pikën e kalimit kufitar, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore, konstatuan se shtetasja A. W. kishte me vete 61 755 euro dhe 10 000 dollarë amerikanë, të cilat nuk ishin deklaruar në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në vijim të konstatimit të shkeljes, rasti u referua në Prokurori dhe ndaj 45-vjeçares nisi procedimi penal në gjendje të lirë. Shuma e parave u sekuestrua, ndërsa materialet procedurale iu përcollën Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Autoritetet doganore dhe kufitare bëjnë me dije se kontrollet në pikat e kalimit kufitar vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe garantimin e zbatimit të ligjit.