Mike Tyson ka zyrtarizuar se ndeshja e shumëdiskutuar miqësore me Floyd Mayweather do të zhvillohet në muajin mars dhe do të mbahet në Afrikë. Dy ikonat e boksit, që prej vitesh kanë ngjallur interes për një përballje të tillë, më në fund kanë rënë dakord për datën dhe vendin.
Tyson pranoi se fillimisht kishte hezituar të besonte se dueli do të realizohej, derisa Mayweather e konfirmoi përfundimisht pjesëmarrjen. “Mendova se nuk kishte asnjë shans të ndodhte. Por Floyd tha po,” u shpreh ai, duke vënë në dukje se sporti i boksit ndodhet tashmë në një epokë të paparashikueshme.
Ai shtoi se tensionet e akumuluara ndër vite dhe vendosmëria e Mayweather për të hyrë në ring ishin elementët që e shtynë përpara këtë ndeshje. “Sinqerisht, ende habitem që Floyd ka dëshirë ta bëjë këtë. Nuk do të jetë e lehtë për të, por ai po këmbëngul,” tha Tyson.
Me përballjen tashmë të konfirmuar, Tyson parashikon një event gjigant. “Do të jetë spektakolare. Do të thyejmë çdo rekord. Besoj se kjo do të jetë ndër ngjarjet më të mëdha që ka parë ndonjëherë sporti,” deklaroi ai.
Tifozët në mbarë botën po e presin me entuziazëm zyrtarizimin e detajeve të tjera të eventit, i cili pritet të jetë një ndër duelat më të komentuar të dekadës.


