Shqipëria do të pajiset me një avion qeveritar të dhuruar nga Turqia, në kuadër të forcimit të marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve. Bëhet fjalë për një avion Airbus A319, me vlerë të përllogaritur rreth 11.9 milionë dollarë, i cili do t’i kalojë në pronësi shtetit shqiptar përmes një marrëveshjeje granti dypalëshe.
Sipas marrëveshjes së publikuar në Gazetën Zyrtare, avioni do të transferohet nga kompania ajrore kombëtare Turkish Airlines tek qeveria shqiptare. Mjeti ajror, i prodhuar në shkurt të vitit 2000 dhe i regjistruar me numrin TC GVC, është i certifikuar dhe i gatshëm për operacione fluturimi.
Dokumenti i marrëveshjes thekson se ky donacion synon të forcojë marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë mes **Turqi**së dhe **Shqipëri**së, marrëdhënie që kanë bazën e tyre në Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 1992. Të dyja palët shprehin vullnetin për ta thelluar më tej këtë partneritet përmes bashkëpunimit teknik, institucional dhe në fushën e mbrojtjes.
Në njoftim theksohet gjithashtu se marrëveshja pasqyron angazhimin e përbashkët për të zhvilluar partneritete në sektorë strategjikë si aviacioni civil, logjistika e mbrojtjes dhe fusha të tjera me rëndësi të veçantë për sigurinë dhe zhvillimin afatgjatë. Donacioni konsiderohet edhe si një gjest simbolik i mbështetjes së Turqisë për proceset e zhvillimit rajonal dhe integrimit të Shqipërisë.
Avioni do t’i dorëzohet palës shqiptare pa asnjë detyrim financiar, ndërsa shpenzimet që lidhen me procesin e transferimit do të mbulohen plotësisht nga pala turke. Marrëveshja hyn në fuqi pas përfundimit të procedurave përkatëse ligjore nga të dyja shtetet.