Siria po shpërbëhet mes ndërhyrjeve turke në veri dhe ofensivave izraelite në jug, ndërsa bota hesht në mënyrë të qëllimshme
Siria po kalon një nga momentet më të errëta të historisë së saj, ndërsa fuqitë rajonale kanë nisur një garë të pamëshirshme për kontrollin e territoreve të saj. Në veri, Turqia thellon praninë ushtarake, ndërsa në jug, Izraeli godet pa pengesë objektiva strategjike, duke e lënë shtetin sirian të ekspozuar dhe të copëtuar.
Pavarësisht krizës së thellë humanitare dhe përplasjeve të dhunshme etnike e fetare, Siria mbetet jashtë vëmendjes ndërkombëtare. Shumë analistë dhe “ekspertë” të vetëshpallur, që dikur parashikonin një Siri të qetë pas rrëzimit të Assad-it, tani janë zhdukur nga skena, ndërsa vendi ndodhet në një kaos të pandalshëm.
Ndryshe nga parashikimet naive, regjimi i Bashar al-Assad-it, sado autoritar, kishte ruajtur një balancë të brishtë midis komuniteteve alevite, të krishterëve, sunitëve, kurdëve dhe druzëve. Sot, ajo që shumë e paralajmëruan si një katastrofë e mundshme, po ndodh në sy të botës: Siria është kthyer në një skenë dhune, ku secili grup synon të sigurojë territore e pushtet.
Përmes një hipokrizie të rrezikshme, aktorët ndërkombëtarë që për vite aplikuan sanksione të ashpra ndaj popullsisë siriane – duke mos prekur elitën e korruptuar të regjimit – janë sot të gatshëm të negociojnë me figura të reja si Al-Jolani apo Al-Sharaa. Ndërkohë, viktimat e reja janë qytetarët: shpërthime në kisha, spastrime ndaj alevitëve, sulme ndaj kurdëve dhe represion i hapur ndaj druzëve në jug.
Heshtja mediatike është po aq shqetësuese sa edhe luftimet në terren. Ndërhyrja e Rusisë në vitin 2015 e shpëtoi Assad-in nga rrëzimi, por çmimi i mbijetesës ishte liria për Turqinë, Izraelin dhe SHBA-në që të kontrollojnë pjesë të ndryshme të vendit për interesa të tyre.
Turqia vazhdon të mbështesë grupime islamiste në Idlib, ndërsa Izraeli kryen sulme të vazhdueshme ajrore mbi objektivat iraniane në Siri, pa u penguar as nga sistemet ruse të mbrojtjes. Ndërkohë, regjimi i Assad-it është i detyruar të qëndrojë pasiv, për sa kohë që nuk rrezikon interesat e këtyre fuqive.
Siria po bëhet viktimë e një loje të madhe ndërkombëtare, ku secili aktor merr pjesën e vet të plaçkës, ndërsa populli i lodhur vazhdon të vuajë në heshtje. Dhe ajo heshtje, është ndoshta arma më e fuqishme që po përdoret sot për të zhdukur këtë vend nga harta politike e Lindjes së Mesme.