Policia turke arrestoi 97 studentë në Stamboll pas një proteste të zhvilluar në Universitetin e Bogazicit kundër një konference që përfshinte një predikues kontrovers.
Në një aksion të policisë turke, 97 studentë u arrestuan në Universitetin Bogazici të Stambollit pasi u përpoqën të pengonin një konferencë ku merrte pjesë Nurettin Yildiz, një predikues mysliman i njohur për pikëpamjet e tij kontraverse, përfshirë ato mbi martesat e hershme. Konferenca ishte organizuar nga një klub studentor në universitet, dhe studentët e shohin këtë si një provokim, duke protestuar në kampus.
Përleshja mes studentëve dhe policisë shpërtheu kur ata u përpoqën të thyenin kordonin e policisë.
Guvernatori i Stambollit, Davuto Gul, njoftoi se gjatë përleshjes, 13 oficerë policie u plagosën pasi ranë në një gropë ndërtimi pesë metra të thellë. Protestuesit ishin të zemëruar për praninë e Yildiz në universitet, duke e konsideruar pjesëmarrjen e tij si një sfidë ndaj vlerave të universiteteve dhe një përpjekje për të përhapur ide të rrezikshme.
Në muajt e fundit, protestat studentore janë shtuar në Turqi, duke përfshirë edhe ato që lidhen me arrestimin e Ekrem Imamoglu, kryetarit të bashkisë së Stambollit.
Studentët dhe stafi akademik në Universitetin Bogazici kanë qenë vazhdimisht në ballë të protestave që kundërshtojnë ndërhyrjen e qeverisë turke në autonominë e institucioneve universitare. Ata janë shprehur kundër vendimeve të qeverisë për emërimin e rektorëve dhe përpjekjeve të qeverisë për të kontrolluar programet akademike.
Këto protesta pasqyrojnë një ambient të tensionuar politik dhe shoqëror në Turqi, ku shumë grupe, përfshirë studentët, shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë dhe politikave të Presidentit Erdogan.