Uji i pijshëm mungon, mbetjet digjen në natyrë dhe turizmi shqiptar rrezikon të humbasë imazhin mesdhetar që promovon me krenari
Dhoma Amerikane e Tregtisë ka ngritur një alarm publik për gjendjen e turizmit në Shqipëri, duke theksuar problematika të përsëritura që po cënojnë seriozisht zhvillimin e sektorit dhe përvojën e turistëve vendas e të huaj. Uji i pijshëm, menaxhimi i mbetjeve dhe mungesa e stafit të trajnuar janë në qendër të shqetësimeve të saj.
Përmes një deklarate zyrtare, Dhoma i bën thirrje qeverisë që të ndërhyjë me masa konkrete për të mbrojtur atë që konsiderohet si një nga asetet më të rëndësishme të ekonomisë shqiptare. Sipas anëtarëve të kësaj dhome, shumë zona bregdetare po përballen me mungesë uji të pijshëm, keqmenaxhim të ujërave të zeza dhe djegie të hapur të mbetjeve në landfille, duke dëmtuar cilësinë e jetës dhe funksionimin e strukturave turistike.
Në shumë raste, turistët përballen me ndotje vizuale dhe mungesë shërbimesh elementare, ndërkohë që ndërtimet pa kriter dhe ndërhyrjet gjatë sezonit vijojnë pa u ndalur. Këto faktorë po i kthejnë zonat turistike në problem social dhe ekonomik, duke larguar vizitorët e huaj që priten me bujë, por përcillen me zhgënjim.
Një tjetër hallkë e dobët e sistemit është mungesa e stafit të trajnuar. Dhoma Amerikane thekson se cilësia e shërbimit është bërë një pengesë për Shqipërinë në tregun rajonal të turizmit. Ndërsa vendet e rajonit investojnë në aftësimin profesional, Shqipëria vuan nga braktisja e tregut të punës prej të rinjve dhe mungesa e investimeve në arsim profesional.
Përtej pamjeve të bukura ajrore dhe sloganeve reklamuese, realiteti në terren kërkon veprime të qarta. “Turizmi është motor ekonomik për mijëra familje, dhe ky motor nuk mund të ecë me probleme themelore si mungesa e ujit apo trajtimi i mbetjeve me zjarr,” thuhet në qëndrimin e Dhomës.
Ajo kërkon që institucionet shtetërore dhe pushteti vendor të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të zgjidhur këto probleme që po rrezikojnë rritjen e turizmit dhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë. “Dëshira jonë është të kontribuojmë në një sektor prioritar, por kërkojmë edhe reagim të duhur nga ana e qeverisë,” përfundon deklarata.
Ndërsa sezoni turistik ka hyrë në kulmin e tij, Shqipëria përballet me një sfidë thelbësore: ta ruajë turizmin si burim të qëndrueshëm zhvillimi apo ta lejojë të përmbytet nga problemet që çdo vit mbeten pa zgjidhje. Pa planifikim afatgjatë dhe ndërhyrje të strukturuara, sektori rrezikon të humbasë besimin që ka fituar me vështirësi.