Ish-ligjvënësja Tulsi Gabbard është konfirmuar nga Senati për të drejtuar komunitetin e zbulimit në SHBA, pas një votimi të ndarë sipas vijave partiake.
Me 52 vota pro dhe 48 kundër, republikanët mbështetën kandidaturën e saj, duke i dhënë asaj detyrën e mbikëqyrjes së 18 agjencive federale të kundërzbulimit.
Emërimi i saj shënon një tjetër fitore për Presidentin Donald Trump, i cili ka premtuar ndryshime të mëdha në institucionet federale. Pas konfirmimit, Gabbard theksoi përkushtimin e saj për të rivendosur besimin e publikut në komunitetin e inteligjencës dhe për të garantuar sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Gabbard mori mbështetje nga të gjithë senatorët republikanë, përveç njërit, ndërsa demokratët e kundërshtuan unanimisht. Kundërshtarët e saj ngritën shqetësime për mungesën e përvojës në kundërzbulim dhe për deklaratat e mëparshme të saj, të cilat janë interpretuar si simpati për rivalët e SHBA-së, përfshirë Rusinë dhe Sirinë.
Emërimi i Gabbard shkaktoi debat të gjerë në qarqet e sigurisë kombëtare, veçanërisht për shkak të qëndrimeve të saj të dikurshme mbi Vladimir Putinin dhe Bashar al-Assadin. Ajo është kritikuar edhe për mbrojtjen që i ka bërë Edward Snowden, ish-kontraktorit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, i cili publikoi dokumente sekrete dhe kërkoi azil në Rusi.
Një rol kyç në konfirmimin e Gabbard pati edhe presioni politik nga Presidenti Trump dhe mbështetësi i tij, Elon Musk. Ky i fundit kishte paralajmëruar republikanët se do të mbështeste kundërshtarët e tyre në zgjedhjet e ardhshme nëse nuk votonin në favor të Gabbard.
Pavarësisht skepticizmit fillestar, disa senatorë republikanë që kishin shprehur dyshime u tërhoqën dhe e mbështetën kandidaturën e saj, duke argumentuar se ajo kishte premtuar të vepronte në mënyrë të paanshme dhe të respektonte profesionistët e zbulimit.
Ndryshe nga paraardhësit e saj, të cilët kanë qenë ekspertë të spiunazhit dhe të mbështetur nga të dyja partitë, Gabbard është një ish-kongresmene me qëndrime politike të ndryshueshme. Ajo u largua nga Partia Demokratike në vitin 2022 dhe më vonë iu bashkua republikanëve, duke u bërë një aleate e fortë e Presidentit Trump.
Tashmë, ajo do të marrë në dorë një nga postet më të rëndësishme të sigurisë kombëtare, në një moment kur SHBA përballet me sfida të mëdha ndërkombëtare dhe shqetësime për ndërhyrjet e huaja në proceset politike të saj.