Trupi i rabinit Zvi Kogan, një 28-vjeçar izraelito-moldav i zhdukur javën e kaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), është gjetur, sipas autoriteteve izraelite.
Kogan, përfaqësues i lëvizjes Chabad në EBA, u raportua i zhdukur të enjten. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e cilësoi vdekjen e tij si një “sulm terrorist të urryer antisemit.”
Në një deklaratë të bërë publike të dielën, Netanyahu premtoi se Izraeli do të përdorë “të gjitha mjetet” për të vënë përpara drejtësisë përgjegjësit për këtë krim. Kjo deklaratë u bë ndërsa Mossad, agjencia izraelite e inteligjencës, vazhdon hetimet, pasi kishte dyshuar se Kogan ishte rrëmbyer.
Ndërkohë, autoritetet e EBA-së nuk kanë konfirmuar ende zyrtarisht gjetjen e trupit të rabinit. Ministria e Brendshme e vendit kishte njoftuar më herët se ai ishte “i zhdukur dhe i paaksesueshëm” dhe se autoritetet e specializuara kishin nisur menjëherë kërkime dhe hetime pas raportimit të rastit.
Rabini Kogan jetonte në Dubai me bashkëshorten e tij, Rivky, e cila është shtetase amerikane. Ai ishte një figurë e shquar në komunitetin hebre të zonës dhe menaxhonte një dyqan ushqimor kosher, i cili kishte qenë më parë shënjestër e protestave online nga mbështetës pro-palestinezë.
Lëvizja Chabad Lubavitch, një degë e rëndësishme e Judaizmit Ortodoks, deklaroi se Kogan ishte parë për herë të fundit në Dubai. Ndërkohë, autoritetet izraelite kanë ripërsëritur këshillën për shmangien e udhëtimeve jo të domosdoshme në EBA dhe u kanë sugjeruar vizitorëve të qëndrojnë në zona të sigurta dhe të kufizojnë lëvizjet.
Zhdukja dhe vdekja e rabinit vijnë në një kohë tensionesh të rritura në Lindjen e Mesme. Irani ka kërcënuar më parë hakmarrje ndaj Izraelit, dhe historikisht, shërbimet iraniane të inteligjencës janë përfshirë në rrëmbime në EBA. Megjithëse deklarata e Netanyahu-t nuk përmendi Iranin, hetuesit nuk e përjashtojnë këtë pistë.
Që prej njohjes diplomatike të Izraelit nga EBA në vitin 2020, në vend janë ngritur sinagoga dhe biznese për komunitetin hebre që po zgjerohet. Megjithatë, trazirat në Lindjen e Mesme kanë nxitur zemërim të thellë në rajon, duke rritur ndjeshmërinë ndaj aktiviteteve hebraike në EBA.
Vdekja e Zvi Kogan-it ka shkaktuar tronditje në komunitetin hebre dhe përtej tij, duke rindezur shqetësimet për sigurinë e komunitetit në rajon në këtë periudhë të tensionuar politike dhe fetare.