Trupi i pajetë i 22-vjeçares shqiptare nga Çerma gjendet në një valixhe, ndalohet i dashuri i saj

Trupi i pajetë i 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, është gjetur në një valixhe të braktisur në një zonë pyjore në Poli, pas disa ditësh kërkimesh intensive.

Ilaria, e cila ishte zhdukur më 25 mars në zonën Furio Camillo të Romës, është identifikuar pas gjetjes së valixhes nga disa kalimtarë që po frekuentonin atë pjesë të qytetit. Kjo ngjarje tronditi jo vetëm familjen dhe miqtë e saj, por edhe të gjithë shqiptarët që jetojnë në Itali, raporton gazetarja Mukades Dervishi.

Ilaria Sula, 22 vjeçe banonte në Itali me familjen e saj prej vitesh ndërsa janë me origjinë nga Çerma e Sipërme. Sipas të afërmve të familjes Sula, Familjarët jetojnë prej vitesh në Itali ku janë integruar në jetën social-ekonomike të vendit fqinj.

Vdekja e saj i ka lënë të pafjalë të afërmit e Flamur Sulës, babait të Ilarias. Apo jashtë kamerave pohojnë se kanë qenë familjarë të rregullt dhe banesa e tyre në buzë të rrugës nacionale Rrethrrotullimi i Çermë-Divjakës është e mbyllur pasi jetojnë prej vitesh në Terni të Italisë, rreth 100 kilometra nga kryeqyteti Romës ku vajza studionte.

Të afërmit gjithashtu thanë se familja kthehej në banesën e tyre në Çermë vetëm gjatë periudhës së verës.
Ende nuk dihet nëse familjarët do të sjellin trupin e vajzës së tyre për t’a përcjellë më banesën e fundit në Çermë të Sipërma apo do t’i kryejnë shërbimet mortore në Itali, aty ku punojnë e jetojnë prej vitesh!

Sipas informacionit nga mediat italiane, trupi i Ilarisë është gjetur i fshehur mes shkëmbinjve, dhe ndodhej në një zonë të thellë të pyllit, larg qendrës së qytetit. Gjetja e trupit ka ngjallur shqetësim të madh, ndërsa autoritetet lokale janë duke hetuar ngjarjen me intensitet të lartë. Disa detaje nga hetimet sugjerojnë se Ilaria kishte pasur një lidhje me një shtetas filipinas, i cili tashmë është ndaluar nga policia italiane për të dhënë shpjegime.

Ilaria ishte studente në Universitetin “Sapienza” të Romës, dhe kishte kohë që jetonte në kryeqytetin italian. Zhdukja e saj ka alarmuar miqtë dhe familjen, të cilët ngritën alarmin disa ditë më parë, pasi nuk kishin mundur ta kontaktonin. Hetimet morën një kthesë të rëndësishme pas vizitës së policisë në banesën e të dyshuarit, ku u kryen inspektime të detajuara.

Një burim i afërt me hetimet ka zbuluar se viktima kishte shkëmbyer shumë mesazhe me filipinasin mbrëmjen e ditës kur ajo është zhdukur. Ky i fundit është marrë në pyetje dhe pritet të arrestohet për këtë ngjarje të rëndë. Sipas informacioneve, Ilaria mund të ketë ikur me nxitim nga shtëpia për t’u takuar me dikë, por ende nuk ka pasur një konfirmim të plotë mbi motivet e saj.

Ndërkohë, prindërit e saj, të cilët jetojnë në Terni, kanë deklaruar se Ilaria kishte dalë nga shtëpia pa marrë asgjë me vete, madje as artikuj të thjeshtë si makijazh, një detaj që i ka shtuar më tej misterin e këtij rasti. Po ashtu, ata raportuan se celulari i vajzës kishte mbetur i ndezur gjatë kohës së zhdukjes, dhe dikush ka pasur akses në mesazhet e saj.

Në këto momente, hetuesit janë duke u fokusuar te i dashuri i Ilarisë si personi i mundshëm që mund të ketë lidhje me ngjarjen. Ndërkohë, mbeten të paqarta detajet që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të këtij rasti tragjik.

Ndaj Postimin: