Donald Trump deklaroi se disa qytete të rrezikshme në SHBA duhet të shërbejnë si terrene stërvitjeje për ushtrinë, duke përmendur edhe një ndërhyrje të mundshme në Çikago.
Në bazën ushtarake të Quantico në Virxhinia, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth thirri me urgjencë qindra gjeneralë dhe admiralë nga e gjithë bota. Takimi u prezantua si një mbledhje e jashtëzakonshme, por përfundoi si një përmbledhje e ideve të përsëritura nga Hegseth dhe Presidenti Trump.
Trump foli hapur për ndërhyrjet e tij në qytete amerikane dhe theksoi se ushtria duhet të shërbejë si forcë e brendshme sigurie. Ai paralajmëroi se Çikago mund të jetë në listën e ardhshme për vendosjen e trupave.
Hegseth, u shfaq para oficerëve të lartë me një ton të ashpër. Ai kërkoi rikthimin e asaj që e quajti “etosi i luftëtarit” dhe kritikoi dekadat e “dobësimit” të ushtrisë amerikane.
Ai paralajmëroi se standardet fizike dhe disiplinore do të forcohen. Sipas tij, ushtria duhet të fokusohet më shumë tek “letaliteti” dhe më pak tek ajo që e quajti “wokeness.” Në këtë drejtim, ai njoftoi rikthimin e masave strikte për gjendjen fizike dhe lehtësimin e rregullave që kufizojnë trajnimet e ashpra.
Në fjalimin e tij, Hegseth përmendi rikthimin e standardeve fizike të viteve ’90, duke i quajtur ato “neutrale gjinore,” por në fakt të bazuara mbi nivelin më të lartë mashkullor. Ai tha se kjo nuk synonte përjashtimin e grave, por mund të kishte si pasojë uljen e përfaqësimit të tyre.
“Vendosja e standardeve të larta nuk është toksike,” tha Hegseth. Ai shtoi se drejtuesit e vërtetë nuk janë ata që ulin kriteret, por ata që i forcojnë ato për të ndërtuar një ushtri më të fuqishme.
Në sallë, oficerët e lartë që ruajtën neutralitetin politik dëgjuan të heshtur. Në fund, ata i dhanë vetëm një duartrokitje të lehtë, ndërsa të pranishëm ishin edhe zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe disa media të përzgjedhura.
Thirrja urgjente për këtë mbledhje pa precedent ngjalli dyshime në Pentagon dhe Kongres, ku u përfol se mund të kishte teste besnikërie ose dorëheqje masive. Edhe pse kjo nuk ndodhi, fjalimi u perceptua si politik dhe jo thjesht profesional.
Një ekspert i marrëdhënieve civilo-ushtarake, Peter Feaver, tha se civilët kanë të drejtë të mbajnë fjalime politike edhe para ushtrisë, ndërsa ushtarakët kanë detyrimin të mos reagojnë në mënyrë partizane.
Ndërkohë, një ndihmës republikan në Kongres e quajti mbledhjen humbje kohe dhe parash, duke kritikuar fokusin e Hegseth tek rregullat e qethjes dhe testet fizike në një kohë kur vendi ka sfida më të mëdha.
Hegseth shkoi deri aty sa të sugjeronte dorëheqjen e atyre oficerëve që nuk pajtoheshin me drejtimin e tij. Ai tashmë ka larguar disa drejtues, mes tyre edhe gra dhe afro-amerikanë, pa dhënë shpjegime të qarta.
Në fund, ai përdori edhe gjuhë provokuese duke thënë se armiqtë e SHBA-së do të përballeshin me “dhunë, saktësi dhe egërsi,” duke përdorur një shprehje popullore në radhët ushtarake.
Fjalimi i Trump ishte më i gjatë dhe i ngarkuar me tema politike, nga tarifat tregtare te sulmet personale ndaj rivalëve. Ai përsëriti se misioni i ushtrisë nuk është mbrojtja e ndjenjave, por mbrojtja e republikës dhe e kombit amerikan.