Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar një rritje të tarifave prej 25% për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, duke shtuar tensionet tregtare dhe kërcënuar me përshkallëzim të luftës tregtare që mund të tronditë tregjet globale.
Vendimi, i cili pritet të hyjë në fuqi më 4 mars, ka ngjallur shqetësime në shumë shtete, duke përfshirë Kanada, Brazili, Meksikën dhe Koreen e Jugut, të cilat janë disa nga furnizuesit kryesorë të këtyre materialeve për SHBA-në.
Trump ka theksuar se ky vendim do të thjeshtojë tarifat ndaj metaleve dhe se nuk do të ketë përjashtime për asnjë shtet, duke e bërë këtë një masë të përgjithshme për të gjitha importet. Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se ky vendim do të zbatohet për miliona tonelata çelik dhe alumini që janë importuar pa taksa shtesë nga shtete si Kanadaja, Brazili, Meksika dhe Koreja e Jugut.
Në një deklaratë të tij, Trump ka nënvizuar se ky hap është një mundësi për të forcuar industrinë amerikane të çelikut dhe aluminit, duke u dhënë mundësi prodhuesve amerikanë të rrisin tregtinë dhe të sigurojnë më shumë burime për nevojat e sigurisë kombëtare. Ai gjithashtu ka shtuar se është duke marrë në konsideratë kërkesën e Australisë për përjashtim nga tarifat, për shkak të deficitit tregtar që ka me SHBA-në.
Sipas statistikave të qeverisë amerikane, Kanadaja është përgjegjëse për 80% të importeve të aluminit në SHBA, ndërsa Brazili, Meksika dhe Koreja e Jugut janë gjithashtu ndër partnerët kryesorë tregtarë të çelikut për SHBA-në. Presidenti ka deklaruar gjithashtu se më 11 ose 12 shkurt do të bëhen publike tarifat reciproke ndaj shteteve që kanë vendosur tarifa të larta ndaj produkteve amerikane.
Trump ka paralajmëruar gjithashtu se tarifat mund të zbatohen edhe ndaj Bashkimit Evropian dhe mund të përfshijnë Britaninë e Madhe, duke kritikuar tarifat e BE-së ndaj makinave amerikane. Ai ka theksuar se ka një padrejtësi në tarifat që SHBA paguan për makinat evropiane dhe ato që paguhen për makinat amerikane, duke sugjeruar se është koha për të rregulluar këto marrëdhënie.
Këshilltari i tregtisë, Peter Navarro, ka mbrojtur këtë vendim, duke thënë se ai do t’i ndihmojë SHBA-të të mos varen nga shtetet e huaja për industrinë e çelikut dhe aluminit, që janë kritike për sigurinë kombëtare. Megjithatë, ekspertët kanë shprehur shqetësime se këto tarifa mund të kenë pasoja negative për ekonominë globale dhe të shkaktojnë rritje të inflacionit në SHBA.
Për më tepër, Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka komentuar se tarifat amerikane mund të rrisin inflacionin në SHBA dhe ka sugjeruar që Trump nuk duhet të përqendrohet te aleatët e SHBA-së brenda Bashkimit Evropian. Kjo ka sjellë pasiguri në tregjet financiare, ku aksionet kanë pësuar luhatje pas vendosjes së tarifave.