Përmes një dekretimi të nënshkruar nga zyra ovale, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se duke filluar nga 1 Shkurti, mallrat që vijnë nga Kanadaja dhe Meksika do të përballen me një tarifë prej 25%.
Ky vendim ka ngritur shqetësime mbi mundësinë e rritjes së çmimeve për konsumatorët amerikanë, veçanërisht në sektorin e karburanteve dhe produkteve energjitike.
Trump ka lënë të kuptohet se po merr kohë për të vendosur nëse do të zgjerojë tarifat edhe për naftën që importohet nga këto dy shtete. Vendosja e një takse për naftën mund të komplikojë përpjekjet e tij për të ulur inflacionin dhe për të mbajtur premtimet e tij për të ulur kostot e energjisë, që janë një shqetësim për shumë amerikanë.
Presidenti amerikan theksoi se ky vendim është i nevojshëm për të detyruar Kanadajën dhe Meksikën të ndërmarrin veprime më të ashpra kundër emigrantëve pa dokumente dhe trafikut të fentanilit që po dërgohet në SHBA. Ai gjithashtu la të kuptohet se mund të vendosë tarifa edhe për Kinën për shkak të dërgesave të fentanilit në SHBA, që sipas tij kanë shkaktuar një numër të madh vdekjesh.
“Po mendoj gjithashtu për Kinën, sepse ata po dërgojnë fentanil në vendin tonë dhe për këtë arsye po na shkaktojnë qindra mijëra vdekje. Kështu që Kina do të përfundojë duke paguar një tarifë dhe ne jemi në proces për ta bërë këtë,” tha Trump gjatë deklaratës së tij.
Ky vendim për tarifat ndaj mallrave nga Kanadaja dhe Meksika ka një ndikim të menjëhershëm për ekonominë amerikane, duke e bërë të mundur që konsumatorët të përballen me çmime më të larta për disa produkte. Megjithatë, Trump duket i vendosur të përdorë këto masa si një mjet për të shtyrë partnerët ndërkombëtarë të veprojnë më agresivisht ndaj çështjeve që ai konsideron si kërcënime për sigurinë dhe ekonominë amerikane.