Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u ka drejtuar një mesazh protestuesve në Iran, duke i nxitur të vijojnë demonstratat kundër regjimit dhe duke deklaruar se mbështetja e SHBA-së për ta është në rrugë.
Reagimi i Trump vjen pasi ai njoftoi vendosjen e tarifave doganore ndaj Iranit dhe vendeve që zhvillojnë marrëdhënie tregtare me të, si masë ndëshkuese. Në mesazhin e publikuar në platformën “Truth”, Trump i cilëson protestuesit si patriotë iranianë dhe shprehet se Uashingtoni qëndron në krah të tyre.
Presidenti amerikan thekson se ka anuluar të gjitha takimet me zyrtarët iranianë, duke kushtëzuar çdo kontakt diplomatik me ndalimin e dhunës dhe të vrasjeve në vend. Mesazhi i tij synon të rrisë presionin ndaj autoriteteve iraniane në një kohë tensionesh të shtuara politike dhe shoqërore në Iran.