Trump “thumbon” Clooney-n për pasaportën franceze, aktori i kthen me batutë: “E nisim në nëntor”

Një përplasje me humor (dhe me thumbime politike) ka shpërthyer mes presidentit amerikan Donald Trump dhe aktorit George Clooney, pasi Franca i dha shtetësinë franceze Clooney-t dhe familjes së tij.

George Clooney, 64 vjeç, bashkëshortja e tij Amal Alamuddin Clooney dhe dy fëmijët e tyre u bënë qytetarë francezë këtë muaj, pas disa vitesh qëndrimi në një pronë në jug të Francës. Aktori ka përmendur si arsye ligjet franceze të privatësisë, të cilat sipas tij e kanë mbrojtur familjen nga mediat ndërkombëtare, si edhe dëshirën për t’i rritur fëmijët larg Holliwood-it.

Ndërkohë, Trump reagoi publikisht në rrjetin e tij social, duke e ironizuar vendimin dhe duke e vendosur Clooney-n në shënjestër si mbështetës dhe donator i Partisë Demokrate, si edhe kritik i zëshëm i tij. Trump shkroi se Franca ishte e mirëpritur ta kishte Clooney-n dhe e shoqëroi mesazhin me një koment të ashpër për emigracionin dhe kriminalitetin.

“Lajm i mirë! George dhe Amal Clooney, dy nga parashikuesit më të këqij politikë të të gjitha kohërave, janë bërë zyrtarisht qytetarë francezë, një vend që fatkeqësisht po përballet me një problem të madh kriminaliteti për shkak të trajtimit të tmerrshëm të imigracionit”, shkroi Trump.

Clooney nuk e la pa përgjigje, por zgjodhi ta kthejë me shaka, duke e lidhur me zgjedhjet e ardhshme amerikane:

“Jam plotësisht dakord me presidentin aktual. Duhet ta bëjmë Amerikën sërish të madhe. Do të fillojmë në nëntor”.

Vendimi i Francës për t’i pajisur me pasaporta Clooney-n dhe familjen e tij vjen pak përpara hyrjes në fuqi të rregullave të reja për shtetësinë, të cilat kërkojnë njohuri më të mira të gjuhës frënge dhe test të njohurive civile. Një ministër i qeverisë franceze e kritikoi këtë vendim, duke thënë se mund të perceptohet si një “standard i dyfishtë” për qytetarët e zakonshëm.

Megjithatë, ministri i Brendshëm Laurent Nunez dhe Ministria e Jashtme e mbrojtën vendimin, duke sqaruar se shtetësia i është dhënë Clooney-t për shërbime të dalluara që kontribuojnë në influencën dhe prosperitetin ekonomik ndërkombëtar të Francës. Nunez u shpreh se Franca është me fat që ka Clooney-n, ndërsa Ministria e Jashtme theksoi se dhënia e pasaportës përmbush kushtet ligjore dhe se Clooney kontribuon për prestigjin kulturor dhe influencën ndërkombëtare të vendit.

Sa i përket familjes, Amal Clooney – avokate e njohur për të drejtat e njeriut, me dy shtetësi (MB–Liban) – flet rrjedhshëm frëngjisht. Ndërsa George Clooney ka pranuar se nuk e di mirë frëngjishten, edhe pas 400 ditësh kursesh intensive.

Clooney bleu Domaine du Canadel, një pronë ish-vreshtash pranë qytetit Brignoles në Provence, në vitin 2021, duke thënë se aty është vendi ku familja e tij është më e lumtur.

Në plan më të gjerë, të dhënat tregojnë se rreth 48,800 persona fituan shtetësinë franceze me dekret në vitin 2024. Dhe Clooney s’është i vetmi emër i madh që kërkon pasaportë franceze: regjisori hollywoodian Jim Jarmusch njoftoi gjithashtu aplikimin e tij, duke thënë se kërkon “një vend ku të mund të largohet nga Shtetet e Bashkuara”.

Në fund, e gjithë historia tingëllon si një nga ato skenat ku politika dhe showbiz-i s’kanë më kufi: një pasaportë, një postim thumbues dhe një batutë që e kthen në titull.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033