Trump telefonoi Putinin pas takimit me Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë, duke nisur përgatitjet për një takim të drejtpërdrejtë mes liderëve të Ukrainës dhe Rusisë.
Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një ditë intensive takimesh më 18 gusht në Shtëpinë e Bardhë, ku priti presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit kryesorë evropianë. Pas takimit, Trump njoftoi se kishte telefonuar Vladimir Putinin për të diskutuar një takim ballë për ballë me Zelenskyn, duke e cilësuar këtë si një hap fillestar drejt mbylljes së luftës në Ukrainë.
Ndihmësi i Kremlinit, Yury Ushakov, tha se palët shprehën gatishmëri për të vazhduar bisedimet, megjithëse nuk dha qartësi nëse Putin ka pranuar një takim të drejtpërdrejtë. Zelensky deklaroi para gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë se është i gatshëm të takohet me Putinin pa kushte paraprake.
Takimi mes dy liderëve do të pasohej nga një tryezë trepalëshe ku do të përfshihej edhe Trump. Sipas presidentit amerikan, diskutimet këtë herë u zhvilluan në një atmosferë më të ngrohtë krahasuar me vizitën e shkurtit, kur Zelensky u kritikua se nuk e falënderoi mjaftueshëm SHBA-në për ndihmën ushtarake.
Tema kryesore e diskutimeve ishin garancitë e sigurisë për Kievin. Trump e përjashtoi anëtarësimin e Ukrainës në NATO, por tha se vendet evropiane do të japin “vijën e parë të mbrojtjes”, ndërsa SHBA do të angazhohet pjesërisht. Zelensky shtoi se ndihma ushtarake prej 90 miliardë dollarësh do të formalizohet brenda disa ditëve.
Në takime morën pjesë edhe kancelari gjerman Fridrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri britanik Keir Starmer, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, presidenti finlandez Alexander Stubb dhe drejtuesit e BE-së e NATO-s. Rutte e quajti një “arritje të madhe” përfshirjen amerikane, ndonëse në takim nuk u fol për dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë.
Ekspertët e politikës së jashtme shprehën skepticizëm mbi garancitë e sigurisë. George Beebe, ish-zyrtar i CIA-s, tha se mbështetja politike e Perëndimit është thelbësore për Zelenskyn, por vështirë që SHBA apo BE të angazhohen me traktate që i obligojnë në luftë direkte kundër Rusisë. Nga ana tjetër, Moska paralajmëroi se nuk do të pranojë trupa të NATO-s në territorin ukrainas.
Takimi u interpretua si përpjekje për të treguar unitet mes Evropës dhe Ukrainës pas dështimit të samitit Trump-Putin në Alaskë më 15 gusht, i cili nuk solli armëpushim. Profesorë dhe analistë e përshkruan si një “shfaqje të qartë të frontit të përbashkët” dhe një përpjekje për të larguar Trumpin nga linja e afrimit me Moskën.
Megjithëse Zelensky e quajti “bisedë shumë të mirë” diskutimin me Trumpin, përfshirë analizën e hartave për territoret, udhëheqësit evropianë nuk e konfirmuan se çështja e kufijve u trajtua në mënyrë konkrete. Trump përsëriti se qëllimi i tij mbetet “një paqe afatgjatë”, duke lënë të hapur mundësinë që Putini të pranojë garanci sigurie, por pa ndonjë marrëveshje të menjëhershme për armëpushim.
Në fund, Merzi dhe Macroni theksuan se Evropa kërkon presion më të madh ndaj Putinit, ndërsa Trump mbajti qëndrimin se negociatat duhet të prodhojnë një marrëveshje të qëndrueshme dhe jo thjesht një ndalesë të përkohshme të luftimeve. Ndërkohë, pasiguria për territorin dhe garancitë e sigurisë mbetet në qendër të diskutimeve ndërkombëtare.