Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se operacionet ushtarake kundër Iranit do të vazhdojnë “pa ndërprerje gjatë gjithë javës ose për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Në një prononcim për New York Times, ai tha se SHBA-ja dhe Izraeli mund të vijojnë operacionet me të njëjtin ritëm për katër deri në pesë javë. Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump theksoi se ekziston kapaciteti për të vazhduar edhe më gjatë.
Edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se fushata do të vijojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Zhvillimet kanë shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në trafikun ajror. Mijëra fluturime janë anuluar në rajon, në një nga ndërprerjet më serioze që nga pandemia Covid-19.
Emirates dhe flydubai kanë njoftuar rifillim të kufizuar të operacioneve nga Dubai, ndërsa aeroportet e Dubait konfirmuan nisjen e një faze të kufizuar të fluturimeve nga Dubai International dhe Dubai World Central.
Hapësira ajrore e Katarit mbetet e mbyllur, duke pezulluar të gjitha fluturimet drejt dhe nga Doha.
British Airways ka anuluar fluturimet për në Tel Aviv dhe Bahrein, ndërsa Virgin Atlantic ka anuluar dy fluturime drejt Heathrow nga Dubai dhe Riadi. Wizz Air ka pezulluar fluturimet drejt disa destinacioneve në rajon deri më 7 mars.
Lufthansa, Air India dhe Turkish Airlines kanë njoftuar gjithashtu anulime, ndërsa Iraku dhe Jordania kanë mbyllur hapësirën ajrore.