Trump shtyn udhëtimin në Kinë: Do ta zhvillojmë brenda 5–6 javësh

Vizita e presidentit amerikan Donald Trump në Kinë nuk do të zhvillohet në fund të marsit siç ishte parashikuar, pasi është vendosur të shtyhet për disa javë.

Nga Zyra Ovale, Trump bëri të ditur se udhëtimi pritet të realizohet brenda 5 deri në 6 javësh, duke theksuar se vendimi lidhet me zhvillimet e fundit të konfliktit me Iranin.

“Kemi marrëdhënie shumë të mira pune me Kinën, do të shkojmë atje brenda pesë deri në gjashtë javësh,” deklaroi ai, duke shtuar se pala kineze nuk ka shprehur kundërshtime për shtyrjen.

Vizita pritet të përfshijë një takim me presidentin kinez Xi Jinping, në një moment kur marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të ndërlikuara.

Shtyrja vjen në një periudhë të tensionuar në arenën ndërkombëtare, ku lufta me Iranin ka ndikuar në rritjen e çmimeve të naftës dhe ka shtuar pasiguritë për qarkullimin në Ngushticën e Hormuzit.

Ndërkohë, vonesa mund të ndikojë edhe në ritmin e bisedimeve mes Uashingtonit dhe Pekinit për çështje kyçe si tarifat tregtare, Tajvani, teknologjia e gjysmëpërçuesve dhe burimet strategjike.

Vizita ishte planifikuar fillimisht për fundin e marsit, por nuk kishte marrë ende një konfirmim zyrtar nga pala kineze.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033