Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë publike planet e administratës së tij për sektorin energjetik të Venezuelës, duke deklaruar se kompanitë amerikane të naftës do të marrin në dorë administrimin dhe rimëkëmbjen e industrisë pas arrestimit të Nicolás Maduro.
Gjatë një konference për shtyp në Florida, Trump u shpreh se sektori i naftës në Venezuelë është lënë në kolaps prej vitesh dhe se SHBA-të do të ndërhyjnë për ta rikthyer atë në funksion.
Sipas tij, kompani të mëdha amerikane do të investojnë miliarda dollarë për të riparuar infrastrukturën ekzistuese, për të rifilluar prodhimin dhe për të krijuar të ardhura për vendin.
“Kompanitë tona kryesore të naftës do të investojnë miliarda dollarë, do të rindërtojnë infrastrukturën e shkatërruar dhe do të fillojnë të gjenerojnë të ardhura për Venezuelën. Maduro vodhi industrinë e naftës dhe tani ajo do të rikthehet”, deklaroi Trump.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në vijim të zhvillimeve të fundit politike në Venezuelë dhe janë pjesë e planit të shpallur nga Uashingtoni për një administrim të përkohshëm të vendit pas arrestimit të kreut të shtetit venezuelian.