Trump rrit presionin ndaj BBC-së pas dokumentarit të montuar

Presidenti Donald Trump akuzon BBC-në për manipulim të fjalimit të tij dhe i kërkon të tërheqë dokumentarin, të kërkojë falje dhe të paguajë mbi 1 miliard dollarë, duke paralajmëruar një proces gjyqësor të afërt.

Konflikti mes presidentit amerikan Donald Trump dhe BBC-së është përshkallëzuar ndjeshëm ditët e fundit, pas publikimit nga Daily Telegraph të një memoje të brendshme të BBC-së, e cila fliste për “paragjykim sistematik”, shkelje të etikës dhe raste montazhi problematikë në disa programe. Një prej episodeve më të diskutueshme lidhet me emisionin Panorama, i cili transmetoi në tetor 2024 një dokumentar ku fjalimi i Trump-it ishte montuar në mënyrë të tillë që jepte përshtypjen se ai po nxitonte mbështetësit drejt dhunës më 6 janar 2021.

Memoja, që nxori në pah një sërë shqetësimesh të brendshme, shkaktoi dorëheqjet e menjëhershme të drejtorit të përgjithshëm Tim Davie dhe drejtores ekzekutive të lajmeve Deborah Turness. Trump reagoi ashpër ndaj zbulimeve dhe i dërgoi BBC-së një letër të gjatë, ku pretendonte se dokumentari kishte ndikuar në perceptimin e publikut para zgjedhjeve presidenciale amerikane.

Në letrën e tij, presidenti kërkoi tërheqjen e emisionit, një falje publike dhe kompensim financiar. Ai paralajmëroi se nëse këto kushte nuk plotësohen, do të nisë procedurat gjyqësore me pretendime për dëmshpërblim që mund të kalojnë 1 miliard dollarë. BBC-ja, nga ana e saj, pranoi se në dokumentar kishte një “gabim gjykimi” në montim, kërkoi falje dhe premtoi të mos e transmetojë më materiale të tilla, por refuzoi çdo pagesë kompensimi.

Kjo lëvizje nuk e kënaqi Trump-in, i cili gjatë një udhëtimi me Air Force One deklaroi se “nuk i mbetet rrugë tjetër veçse veprimit ligjor”, duke shtuar se BBC “i ka ndryshuar fjalët” dhe e ka dëmtuar rëndë. Ai paralajmëroi se kërkesa për dëmshpërblim mund të arrijë nga 1 deri në 5 miliardë dollarë.

Lajmet nga Londra raportojnë se pritet me interes një telefonatë mes kryeministrit britanik Keir Starmer dhe presidentit amerikan, ku çështja BBC–Trump pritet të jetë në rend dite. Megjithatë, ekspertët ligjorë në Britani theksojnë se do të jetë tepër e vështirë për Trump-in të provojë qëllim të keq në procesin e montazhit dhe pothuajse e pamundur të argumentojë se dokumentari pati ndikim real tek votuesit.

Pavarësisht kësaj, politikisht, konflikti i ka dhënë presidentit amerikan mundësinë për të forcuar narrativën e tij të kahershme mbi “median e paragjykuar”, një mesazh që rezonon fuqishëm me bazën e tij elektorale. Analistët presin që në ditët e ardhshme të ketë zhvillime të reja të rëndësishme, ndërsa palët përgatiten për një betejë të gjatë ligjore dhe mediatike.

Kronologjia e konfliktit Trump – BBC

Më 5 janar 2021, mbështetës të lëvizjes “Save America” hynë në Uashington për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, duke akuzuar për mashtrim elektoral. Një ditë më pas, dhuna kulmoi me sulmin ndaj Kapitolit, ku humbën jetën gjashtë persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, përfshirë 140 policë.

Më 28 tetor 2024, Panorama transmetoi dokumentarin “Trump: A Second Chance?”, ku fragmente të fjalimit të presidentit ishin bashkuar në mënyrë të kontestuar. Më 16 janar 2025, çështja u diskutua në Komitetin e Etikës të BBC-së, ndërsa në maj Michael Prescott paralajmëroi për probleme strukturore dhe paragjykime të përsëritura.

Më 3 nëntor 2025, Daily Telegraph publikoi memon, duke nxitur reagime të forta politike. Një ditë më pas, Komiteti parlamentar kërkoi shpjegime nga BBC-ja. Më 9 nëntor, Davie dhe Turness u dorëhoqën, ndërsa të nesërmen, ekipi ligjor i Trump-it dërgoi ultimatumin me tre kërkesa kryesore.

Më 10 nëntor, Samir Shah i dërgoi Parlamentit një letër faljeje, duke e cilësuar montazhin “gabim gjykimi”, ndërsa BBC i kërkoi falje edhe presidentit, por refuzoi të paguante. Më 15 nëntor 2025, Trump shpalli se do ta çojë çështjen në gjykatë, duke sinjalizuar një përplasje të ashpër që pritet të vijojë në javët dhe muajt në vijim.

Ndaj Postimin: