Trump rivendos politikën e “Presionit Maksimal” kundër Iranit

Më 4 shkurt 2025, Presidenti Donald Trump nënshkroi një Memorandum Presidencial të Sigurisë Kombëtare (NSPM), një veprim që konsiderohet si një goditje e fortë ndaj regjimit iranian dhe politikës së zbutjes që SHBA-të kishin ndjekur deri më tani ndaj Teheranit.

Ky dokument rivendos fushatën e “presionit maksimal”, një qasje agresive për të kundërshtuar aktivitetet bërthamore, ushtarake dhe financiare të Iranit.

Një pjesë e rëndësishme e këtij memorandumi është urdhri që agjencitë amerikane të vendosin sanksione të gjerë ekonomike, diplomatike dhe ligjore për të izoluar dhe penguar aktivitetet destabilizuese të Iranit. Memorandumi thekson gjithashtu përfshirjen e Iranit në terrorizëm ndërkombëtar dhe përhapjen e armëve bërthamore, duke e bërë këtë një prioritet të politikës amerikane ndaj këtij regjimi.

Trump e theksoi se Irani vazhdon të mbetet “sponsori kryesor shtetëror i terrorizmit në botë”, duke mbështetur grupe si Hezbollahu, Hamas, Huthitët, Talibanët dhe Al-Kaedën. Ky angazhim i Iranit për të financuar dhe armatosur grupe terroriste është një nga arsyet kryesore që e ka shtyrë administratën amerikane të rishikojë politikën e saj ndaj Teheranit.

Po ashtu, memorandumi i presidentit Trump përmend shkeljet e të drejtave të njeriut nga regjimi iranian, duke dënuar arrestimet arbitrare të të huajve, përfshirë shtetasit amerikanë, dhe trajtimin e tyre të pasigurt dhe abuziv. Ky veprim është një mesazh i fortë për regjimin iranian, që do të përballet me sanksione të ashpra ndërkombëtare për shkeljet e tij ndaj të drejtave të njeriut.

Në këtë dokument, Shtetet e Bashkuara shprehin mbështetje për gratë iraniane, të cilat përballen me abuzime të përditshme nga regjimi, duke bërë thirrje për një ndryshim të politikës së brendshme të Iranit. Për më tepër, Trump theksoi se masat do të ndihmojnë popullin iranian, duke u larguar nga regjimi i mullahëve që ka abuzuar dhe shtypur popullin e tij për shumë vite.

Nëse kjo politikë zbatohet në mënyrë të plotë dhe të efektshme, ajo ka potencialin të izolojë ekonomikisht regjimin iranian dhe të kufizojë burimet e tij financiare. Nga ana tjetër, kjo mund të ketë efekte pozitive për Iranin, duke minuar fuqinë e atij regjimi dhe duke përmirësuar kushtet për qytetarët e zakonshëm iranianë, të cilët përballen me një ekonomi të rënduar dhe shtypje të vazhdueshme.

Ndaj Postimin: