Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka reaguar me tone të ashpra ndaj Ukrainës dhe vendeve evropiane, pas publikimit të planit amerikan për paqen mes Rusisë dhe Ukrainës.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump akuzoi udhëheqjen ukrainase për mungesë mirënjohjeje ndaj përpjekjeve të SHBA-së për t’i dhënë fund konfliktit, duke theksuar se Ukraina nuk ka treguar “asnjë vlerësim për ndihmën amerikane dhe përpjekjet për paqe.”
“Udhëheqja e Ukrainës ka shprehur mirënjohje zero për përpjekjet tona, dhe Evropa vazhdon të blejë naftë nga Rusia. Unë trashëgova një luftë që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë, një luftë që është një humbje për të gjithë,” – shkroi Trump.
Ai kritikoi gjithashtu vendet e Bashkimit Evropian që vazhdojnë të blejnë naftë ruse, duke e cilësuar këtë si hipokrizi në raport me përpjekjet perëndimore për të izoluar ekonomikisht Moskën.
Trump u shpreh se lufta në Ukrainë është një humbje kolektive, e cila, sipas tij, “nuk duhej të kishte nisur kurrë” dhe se pasojat e saj kanë qenë tragjike për miliona njerëz.
Ky reagim vjen pas publikimit të planit të paqes të hartuar nga administrata amerikane, që parashikon ndalimin e luftimeve dhe fillimin e negociatave, por që ka hasur kundërshtime nga Kievi, i cili e konsideron atë të padrejtë dhe në favor të Rusisë.


