Presidenti Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin zhvilluan të mërkurën (12 shkurt 2025) bisedën e tyre të parë telefonike që nga marrja e detyrës nga Trump.
Sipas një zyrtari të njohur me çështjen, telefonata erdhi vetëm një ditë pasi Rusia liroi një shtetas amerikan të burgosur në territorin e saj.
Burime nga administrata amerikane konfirmojnë se ky komunikim mund të shënojë fillimin e përpjekjeve të reja për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila ka hyrë tashmë në vitin e saj të katërt. Sipas zyrtarëve të administratës Trump, përveç konfliktit në Ukrainë, biseda preku edhe çështje të tjera të rëndësishme, përfshirë politikën energjetike, Inteligjencën Artificiale dhe marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.
Në një deklaratë të bërë publike në Truth Social, Trump e përshkroi telefonatën si “të gjatë dhe shumë produktive”. Ai theksoi se të dy liderët reflektuan mbi historinë e vendeve të tyre dhe mbi aleancën gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke kujtuar humbjet e mëdha të Rusisë në atë periudhë.
Një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte gjetja e një mënyre për të ndalur konfliktin në Ukrainë. Trump deklaroi se të dy palët ndajnë të njëjtin synim për t’i dhënë fund “miliona vdekjeve” dhe se ai përdori moton e tij të fushatës, “Të përdorim mendjen e shëndoshë dhe arsyen”, gjatë bisedës.
Gjatë telefonatës, Trump dhe Putin shprehën gatishmërinë për të punuar ngushtë dhe madje diskutuan mundësinë e vizitave të ndërsjella. Trump njoftoi se ambasadori dhe i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff, do të drejtojë negociatat për një marrëveshje të mundshme paqeje. Ai shprehu bindjen se këto përpjekje do të jenë të suksesshme dhe ritheksoi se, sipas tij, lufta nuk do të kishte ndodhur nëse ai do të kishte qenë president më herët.
“Duhet të ndalojmë humbjet e jetëve njerëzore,” deklaroi Trump, duke falënderuar presidentin rus për kohën dhe përpjekjet e tij në këtë bisedë.
Kjo telefonatë vjen në një moment kur paraardhësi i Trump, Joe Biden, nuk kishte zhvilluar asnjë bisedë të drejtpërdrejtë me Putinin për afro tre vjet, duke e bërë këtë zhvillim një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës.


