Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka publikuar në platformën e tij një video të gjeneruar me inteligjencë artificiale, e cila përmban elemente të hapura raciste ndaj ish-presidentit Barack Obama dhe bashkëshortes së tij, Michelle Obama.
Në pamjet e shpërndara, fytyrat e çiftit Obama shfaqen të montuara mbi trupa majmunësh, me një sfond xhungle. Videoja lidhet me pretendime për manipulime zgjedhore në vitin 2020, narrativa të cilat presidenti Trump vazhdon t’i përsërisë, pavarësisht se deri më sot nuk është paraqitur asnjë provë që i mbështet.
Publikimi i videos ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale dhe në opinionin publik amerikan, për shkak të natyrës së saj fyese dhe përmbajtjes raciste. Kritikat kanë ardhur nga figura politike, organizata dhe qytetarë të shumtë, përfshirë edhe zëra nga spektri republikan.
Videoja përmban akuza të përsëritura ndaj procesit zgjedhor të vitit 2020 dhe ndaj kompanive të përfshira në administrimin e votimit, akuza të cilat janë hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur nga institucionet përkatëse dhe gjykatat.
Reagimet më të forta kanë ardhur nga kampi demokrat, ku publikimi është cilësuar si sjellje e papranueshme për një president në detyrë dhe si nxitje e gjuhës së urrejtjes racore në hapësirën publike.