Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka lëshuar një deklaratë të fortë ndaj Iranit, duke pretenduar se regjimi në Teheran po goditet njëkohësisht në planin ushtarak, ekonomik dhe strategjik.
Në një postim publik, ai paralajmëroi zhvillime të menjëhershme, duke shkruar: “Shikoni se çfarë do t’u ndodhë këtyre të çmendurve sot.” Më tej shtoi se Shtetet e Bashkuara po e “shkatërrojnë totalisht regjimin terrorist të Iranit”.
Trump deklaroi se Marina iraniane nuk ekziston më, Forcat Ajrore janë shkatërruar, ndërsa raketat dhe dronët po asgjësohen. Sipas tij, udhëheqësit iranianë janë eliminuar dhe SHBA disponon “fuqi zjarri të pakrahasueshme, municion të pakufizuar dhe kohë të mjaftueshme”.
Ai iu referua edhe historikut 47-vjeçar të Republikës Islamike, duke thënë se gjatë kësaj periudhe janë vrarë njerëz të pafajshëm në mbarë botën. “Dhe tani unë, si presidenti i 47-të i SHBA, po i vras. Çfarë nderi i madh është ta bëj këtë!”, u shpreh ai.
Në një intervistë për Fox News Radio, Trump komentoi edhe raportimet mbi gjendjen e liderit të ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei. Ai tha se beson që Khamenei është “ende gjallë, por në një formë të caktuar”.
Mojtaba Khamenei, djali i ajatollahut të vrarë Ali Khamenei, nuk është shfaqur publikisht që nga marrja e detyrës. Një fjalim i tij u lexua në televizionin shtetëror iranian nga një prezantues lajmesh, pa praninë e tij në ekran.
Mungesa e paraqitjes ka shtuar dyshimet për gjendjen e tij shëndetësore. Sipas raportimeve, ai mund të jetë në koma ose të ketë humbur njërën këmbë pas sulmeve ajrore të SHBA dhe Izraelit më 28 shkurt, ku mbeti i vrarë babai i tij.
Në mesazhin e lexuar në emër të tij u theksua se Irani do të hakmerret për “gjakun e martirëve”. Një burim anonim ka deklaruar se lideri i ri suprem ndodhet nën kujdesin e ministrit iranian të Shëndetësisë, Mohammad Reza Zafarghandi, i njohur si një nga kirurgët më të specializuar të traumës në vend.